BE i bëri bllokadë avionëve rusë, Air Serbia shton fluturimet drejt Moskës

Air Serbia ka shtuar numrin e fluturimeve nga Beogradi në Moskë për javët e ardhshme, me një deri në tre fluturime direkte në kryeqytetin rus çdo ditë, sipas faqes së saj të internetit.

Nga java e ardhshme, Air Serbia po ofron 15 fluturime direkte për në Moskë, nga tetë përpara se Rusia të niste pushtimin e saj të Ukrainës javën e kaluar.

Megjithatë, më 28 shkurt, Air Serbia njoftoi pasagjerët për në Moskë dhe Shën Petersburg se “ndryshimet në rrugët e fluturimit po ndikojnë në fluturimet tona”, duke shkaktuar kohë më të gjata fluturimi.

Rruga direkte ajrore nga Beogradi në Moskë përshkon Ukrainën, hapësira ajrore e së cilës tani po shmanget nga linjat ajrore komerciale për shkak të luftës.

Pasagjerët gjithashtu mund të fluturojnë nga Beogradi në Moskë nëpërmjet Stambollit në fluturimet e operuara së bashku nga Air Serbia dhe Turkish Airlines.

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, shumica e vendeve perëndimore vendosën sanksione ndaj individëve, kompanive dhe institucioneve shtetërore ruse dhe mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë.

Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë, Rosaviation, njoftoi të hënën se është kundërpërgjigjur duke mbyllur hapësirën ajrore ruse për avionët nga 36 vende. Kjo e la Serbinë si një nga vendet e pakta evropiane, avionët e të cilëve lejohen të fluturojnë drejt Rusisë.

Sipas të dhënave të Flightradar24, një shërbim për gjurmimin e fluturimeve, në periudhën nga 23 shkurti deri të mërkurën ka pasur gjithsej nëntë fluturime të Air Serbia drejt Moskës.

Serbia deri më tani ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, pavarësisht se është kandidate për anëtarësim në bllok, që do të përfshinte përafrimin e politikave të saj të jashtme me ato të shteteve të BE-së.

Në një fjalim më 25 shkurt, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se qeveria e tij “mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”, por nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Mbetet e paqartë se si Serbia do të votojë për një rezolutë që dënon sulmin rus ndaj Ukrainës në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më vonë të mërkurën.

Serbia mban lidhje të forta me Rusinë, si dhe ka një mbështetje të madhe energjetike nga Moska. Beogradi gjithashtu e sheh mbështetjen e Moskës për Kosovën si shumë të rëndësishme.

Ashtu si Serbia, Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Moska ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të cilën mund ta përdorë për të bllokuar Kosovën që të anëtarësohet në OKB./Reporter.al