BE: S’dalim me përfundime bazuar në një video, po presim hetim të plotë të sulmit terrorist të së dielës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se BE-ja nuk mund të dalë me përfundim apo masa ende pa u kryer të gjitha hetimet në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës nga grupi kriminal serb në fshatin Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit.

Sipas tij, një herë është e rëndësishsme të qartësohen të gjitha faktet, pastaj të dilet me përfundime.

“Kemi pasur ndryshim shumë të madh të rëndësishëm, pas sulmeve terroriste të së dielës në veri të Kosovës. Për ne është me rëndësi që të bëhet hetim i plotë, të përfundohet hetimi. Kur kemi pamje të plotë e të qartë nga hetimi se çfarë ka ndodhur, kush ishte prapa kësaj, kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e nevojshme. Në këtë moment është me rëndësi të qartësohen gjitha faktet”, ka thënë Stano.

Ndërsa për për videon që e publikoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq në Banjskë duke udhëhequr një grup terroristësh, Stano ka thënë se “BE-ja nuk mund të japë ndonjë përfundim duke u bazuar në atë video, pa u kryer të gjitha hetimet”.

“Ne nuk nxitojmë të dalim me përfundime bazuar në një video apo në diçka që është postuar aty këtu. Hetimi duhet bërë plotësisht, që BE-ja të ketë pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është fajtor”, ka vijuar ai.

Ndërkaq edhe dje, Stano ka deklaruar se përgjegjësit për sulmin terrorist të së dielës duhet të sillen para drejtësisë.

Kështu është përgjigjur ai, teksa është pyetur se a pret që Beogradi t’i transferojë në Kosovë të kërkuarit që po trajtohen në spitalet e Serbisë dhe a do të ketë rol në këtë BE-ja.

“Në lidhje me përgjegjësinë dhe mosndëshkueshmërinë, pozicioni i BE-së është i qartë. E kemi thënë disa herë, dhe po e përsëris: tani për tani, është shumë e rëndësishme që të jenë të gjithë faktet, të jetë plotësisht e qartë dhe plotësisht e hetuar se çka ndodhi, si ndodhi, kush po merrte pjesë, kush po e organizonte dhe të gjithë ata përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm terrorist, duhet të vihen para përgjegjësisë dhe ballafaqohen me drejtësinë. Kjo është e padiskutueshme, dhe është qëndrim i prerë i BE-së”, u shpreh ai.

Sipas Stanos, në këtë fazë është e rëndësishme që të ketë qartësim të plotë dhe një hetim të mirëfilltë për të parë se kush mban përgjegjësi.