Bëhen 29 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës

Sot me 23 mars, bëhen 29 vjet, që nga votimi i dhunshëm në Parlamentin e atëhershëm të Kosovës për heqjen e autonomisë së Kosovës.

Këtij akti i paraprinë disa protesta e greva gjithë popullore të shqiptarëve.
Në fund të vitit 1988, dhe në fillim të vitit 1989, greva e minatorëve dhe e studentëve shqiptarë nga data 19 deri me 29 shkurt 1989, shënuan kulmin e një rezistence të fuqishme kundër fushatës shoviniste të Milosheviqit për rrënimin e autonomisë së Kosovës.
Mirëpo, Qeveria serbe nuk përfilli vullnetin e shqiptarëve dhe në vend të kësaj edhe njëherë vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, që i përngjante një shtetrrethimi ushtarak.
Ndërsa, më 23 mars të vitit 1989, nën rrethimin policor e ushtarak të Parlamentit të Kosovës u imponua votimi dhe numërimi i votave u bë në mënyrë jokorrekte dhe transparente, ku Kosova humbi autonominë e saj.
Sidoqoftë, brenda në sallë ishin disa deputetë shqiptarë që nuk u frikësuan dhe i ngritën gishtat kundër heqjes së autonomisë së Kosovës. Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, në disa studime del se Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të asaj autonomie. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
Atë botë Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.
Më 28 mars 1989, në Beograd festohej me pompozitet shfuqizimi i autonomisë së Kosovës dhe shpallej “unifikimi” i Serbisë, derisa në Kosovë vazhdonte edhe më tej torturimi, burgosja dhe vrasja e shqiptarëve, të cilët atëbotë manifestonin në mënyrë paqësore kundër shfuqizimit të të drejtave të tyre nga regjimi neofashist i Milosheviqit.