Behramaj: Thaçi s’njeh humbje, sot ia vendosën një pengesë për t’ia ndërruar drejtimin, por vetëm përkohësisht

Këshilltari politik i presidentit Thaci, Adil Behramaj, shkruan se ‘ai ishte nisur sot për ta përmbyllur një kapitull lufte, por u pengua nga ata që janë të thirrur të vendosin drejtësi”

“Është sulmuar politikisht me dekada. Shpeshherë edhe nga ata që as moshë nuk kanë sa ai ka kontribut kombëtar. Por, asnjëherë nuk e njohu humbjen. As sot nuk ka humbur. Kjo është vetëm një pengesë e qëllimshme për t’ia penguar drejtimin, por gjithsesi vetëm përkohësisht!”, shkruan ai.

Shkrimi i plotë:

Historia e Kosovës është direkt e lidhur me emrin e Hashim Thaçit. Lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lider që shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kryeministri më i suksesshëm i shtetit tonë të ri. Organizimeve për rezistencë paqësore i ishte bashkuar sapo kishte arritur moshën madhore dhe shumë pak vite më pas u kishte prirë edhe organizimeve për rezistencë të armatosur. Në luftë dhe paqe asnjëherë nuk reshti së luftuari. Edhe sot ishte nisur për ta mbyllur një kapitull lufte, por padrejtësisht u pengua nga ata që janë të thirrur të vendosin drejtësi. Është sulmuar politikisht me dekada. Shpeshherë edhe nga ata që as moshë nuk kanë sa ai ka kontribut kombëtar. Por, asnjëherë nuk e njohu humbjen. As sot nuk ka humbur. Kjo është vetëm një pengesë e qëllimshme për t’ia penguar drejtimin, por gjithsesi vetëm përkohësisht!