Haxhiu i quan të çuditshme dhe hipokrizi veprimet e PDK-së rreth Covid-19

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i quan hipokrizi dhe sjellje të çuditshme veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit pasdite ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja që kanë hyrë në fuqi më 15 prill për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Për këtë, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për KosovaPress thotë se Gjykata Kushtetuese merret me dekretet, gjegjësisht vendimet e qeverisë, dhe jo të ministrive. Prandaj, siç thotë ajo, nuk po kuptohet baza në të cilën është thirrur Partia Demokratike e Kosovës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese një vendim të tillë.

“Është një qasje shumë e çuditshme e Partisë Demokratike të Kosovës. Në fakt ne kemi parë që prej kohës kur qeveria ka nisur me masat kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, ka pasur një qasje shumë tendencioze dhe jo bashkëpunuese. Nxitje apo përçarje dhe urrejtje dhe në asnjë rrethanë nuk kanë pranuar që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës apo në këtë rast qeverinë. Në këtë drejtim, qasja e tyre që të kundërshtosh në kryesinë e kuvendit nismën ligjore, e cila është hartuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dhe pastaj të dërgosh një çështje në Gjykatën Kushtetuese duke thënë që është në shpërputhje me Kushtetutën është komplet një qasje e çuditshme, një hipokrizi”, thotë ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu thotë se në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe nismës ligjore të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, PDK në vazhdimësi ka bllokuar atë përkundër këtyre përpjekjeve.

“Të bësh thirrje ta respektosh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në anën tjetër të bllokosh atë që ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, është qasje komplet e çuditshme dhe është hipokrizi. Prandaj po them se masat që ka marrë Ministria e Shëndetësisë janë në linjë të plot me rekomandimet apo me udhëzimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj”, shton Haxhiu.

Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme që të kundërshtojë çdo punë të mirë që po bën qeveria tashmë në detyrë. Ndërsa, kjo parti ka deklaruar se një vendim i tillë nuk ka përputhshmëri me Kushtetutën dhe ka shkelje të të drejtave të njeriut.