Bekë Berisha: President duhet të jetë ai që i dhemb trupi nga plagët e luftës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, i cili ka thënë se të gjitha partitë në vend duhet të ulen në një tryezë për të zgjidhur çështjen e presidentit të vendit.

Në një prononcim për GazetaBlic, Berisha ka theksuar se AAK-ja është “pro” diskutimit me partitë në vend për çështjen e presidentit ose shkuarjes në zgjedhje.

“Nuk i komentoj deklaratat e Agim Veliut, po që tre muaj jemi duke u merr me këtë çështje por, duhet të ulemi të flasim për president ose për zgjedhje”, ka thënë fillimisht Berisha.

Derisa thekson, se president i vendit duhet të jetë ai që i dhemb trupi nga plagët e marra në luftën për çlirimin e Kosovës.Berisha edhe njëherë ka përsëritur se qëndrojnë prapa propozimit të tyre që president i vendit të jetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ne duhet me diskutu me të gjitha partitë propozimin tonë. Ne qëndrojmë prapa propozimit tonë, president duhet të jetë ai që i dhemb trupi nga plagët e luftës, pra plagët që i ka marrë në luftë për Kosovë, kështu duhet të jetë presidenti”, ka shtuar Berisha.

Ndryshe, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka thënë se të gjitha partitë në vend duhet të ulen në një tryezë për të zgjidhur çështjen e presidentit të vendit.