Bekim Haxhiu në protestë: Ata që nuk janë me veteranët e kanë vendin përtej Merdares

Katër deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës i janë bashkuar protestës së veteranëve të luftës së UÇK-së para Kuvendit të Kosovës.

Në turmën e protestuesve para objekti të Kuvendit, janë parë deputetët Bekim Haxhiu, Rashit Qalaj, Hajdar Beqa dhe Ganimete Musliu, të grupit parlamentar të PDK-së.

Deputetja Musliu ka deklaruar para mediave se protesta e veteranëve është e drejtë, ndërsa ka thënë se janë deputetët ata që duhet të ndjejnë keqardhje.

“Ne duhet të ndihemi keq që i kemi detyruar të dalin këtu. Pse e kemi sjell ne si institucione çështjen deri këtu, që këta të dalin në këto temperatura të kërkojnë të drejtat e tyre. Këtu më falënderuan për pjesëmarrje, më thanë ‘faleminderit që nuk ike nga ne’, unë dua t’ju them se ditën kur largohem nga veteranët e UÇK-së, unë largohem nga kjo jetë”, ka deklaruar Musliu.

Në anën tjetër, deputeti Bekim Haxhiu gjithashtu ka shprehur mbështetje për veteranët.

Ai ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e veteranëve, ndërsa ka thënë se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të ndaluar kalimin e Projektligjit për paga, ku veteranët nuk janë përfshirë në rritjen e pagës minimale.

“Ata që nuk duan të bisedojnë me veteranët, ata kanë problem me konceptin e lirisë sonë. Kurdo që do të fillojë seanca, ne do të jemi aty për të penguar kalimin e këtij ligji. Ne kemi gjithmonë me veteranët, edhe në luftë edhe tash. Ata që nuk janë me veteranët, e kanë vendin matanë kufirit, përtej Merdares”, ka thënë Haxhiu.

Deputetët e PDK-së në turmën e protestuesve janë munduar të qetësojnë veteranët të cilët kanë tentuar përsëri të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.