Bekim Haxhiu: Neglizhencë totale e Qeverisë për sigurimin e vaksinave, jam në pritje të përgjigjes për 1 milion vaksina

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se është ende në pritje të përgjigjes për sigurimin e 1 milion vaksinave antiCOVID, të cilat janë të llojit Moderna dhe AstraZeneca.

Në Kosovë momentalisht janë duke u bërë vaksinime të pakta për qytetarët, kundër COVID-19.

Deri më tani janë vaksinuar rreth 10 mijë e 700 persona, duke përfshirë këtu personelin shëndetësor dhe personat mbi moshën 85 vjeçare.

Mirëpo deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, është ai që ka nisur kontaktet me shoqata të mjekëve shqiptarë në Amerikë dhe Europë që të sigurojë numër të madh të vaksinave antiCOVID.

Ai për Metron ka bërë të ditur se përveç shoqatave, ka kontaktuar edhe biznesmen të suksesshëm shqiptar.

“Ne jemi duke pritur përgjigje për sigurimin e 1 milion vaksinave të cilat janë të llojit Moderna dhe AstraZeneca. Pas konfirmimit nga këto kompani për sigurim të vaksinave antiCOVID, kontaktin do të ia jap Qeverisë së Kosovës për vazhdim të procedurës së kontraktimit me kompanitë prodhuese”, ka thënë Haxhiu për Metron.

Deputeti i PDK’së ka treguar edhe arsyen se pse po bën diçka të tillë, derisa ka folur edhe për Qeverinë.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që të ndihmojmë dhe fascilitojm në këtë proces me të vetmin qëllim të kujdesit dhe mbrojtës së shëndeti të qytetarëve tonë. Pasi kemi një neglizhencë totale të Qeverisë për sigurim të vaksinave”, është shprehur Haxhiu ndër tjera për Metron.

Tutje ai ka falënderuar të gjithë qytetarët vullnet mirë që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave antiCOVID.

Ndryshe sot vazhduar vaksinimi i personave të moshuar në shtëpitë e kujdesit për të moshuar në Kosovë dhe për punëtorët socialë që kujdesen për ta. Gjatë ditës së sotme gjithashtu ka filluar edhe vaksinimi për pacientët me dializë.