Bekim Jashari: Bashkim, vazhdo hapave të komandantit dhe familjes, rrugën e ke të trasuar

Ish-kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se sot e ka vizituar djalin e axhës së tij, Bashkim Jasharin, në kazermën “Adem Jashari”, i cili njëherësh është edhe komandant i Ushtrisë së Kosovës.

Jashari, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se është i bindur që Bashkimi do të japë maksimumin për FSK-në, duke shtuar se ai i ka trashëguar virtytet nga gjyshi i tij, Shabani, nga axha i tij, Ademi, dhe nga babai i tij, Rifati.

“Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, vëllaut tim, bashkë me nipin, bashkëluftëtarin e tij, Bahri Nuredini, i uruam punë të mbarë e shumë suksese në udhëheqjen e ushtrisë sonë, të ndërtuar falë luftës, sakrificës së ushtarëve të UÇK-së dhe mbështetjes së shteteve tona mike, me theks të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Duke e njohur nga afër, si djali i mixhës Rifat, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, babushit Hamzës, nipi i mësuesit të parë të Drenicës, babës Shaban, nga i cili trashëgoi virtytet më të larta njerëzore, sinqeritetin, humanizmin, guximin edhe vendosmërinë, jam më së i bindur që Bashkimi do të japë maksimumin e tij për ushtrinë tonë dhe kështu me të, ushtarët tonë të mrekullueshëm, Ministrinë e Mbrojtjes dhe aleatët strategjik, ushtria jonë do t’i bashkohet familjes së madhe të ushtrive të shteteve demokratike, NATO-s.”

“Urime Bashkim, vazhdo hapave të Komandantit dhe familjes, rrugën e ke të trasuar!”,ka shkruar Jashari.