Bekim Jashari tërhiqet nga politika

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se nga sot zyrtarisht nuk do të jetë më pjesë e politikës në këtë komunë.

Ai ka thënë se ka vendosur se që nga sot “zyrtarisht të pushoj aktivitetin tim politik në Skenderaj”.

“E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë; E dyta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra garës edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të gares fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Jashari ka thënë se individë të caktuar degraduan gjithçka duke shpifur, shantazhuar dhe blerë vullnetin qytetar në zgjedhje për të fituar pushtetin.

Më tej ka theksuar se në situatën politike ku gjendet Kosova sot, ai nuk mund të vazhdojë të bëjë pjesë në të.

“E treta, në këtë situatë aspak të favorshme në të cilën gjendemi si shtet duke u nisur nga formimi i asociacionit, inflacioni, varfëria, papunësia, migrimi i të rinjve e sfida tjera, mbetet imediate nevoja për t’u unifikuar si spekter politik, për të përmbyllur procese e për të zhvilluar shtetin tonë; E katërta, në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë”, ka shkruar tutje Jashari.

Jashari ka shtuar se opozitën në Skenderaj do ta vazhdojnë asamblistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartësin e listës, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim, “duke i dhënë hapësirë secilit qytetar që mendon ndryshe dhe e sheh të domosdoshëm ndryshimin në Skenderaj”.