Klinaku: Qasjen ndaj dialogut nuk e kanë të njëjtë, por rezultatin e prodhojnë të njëjtë

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku deklaron se qasja ndaj politikës së jashtme në përgjithësi dhe ndaj dialogut në veçanti e Presidentit Thaçi e PDK-së e LDK-së, në njërën anë, dhe qasja politike e VV-së, në anën tjetër, nuk janë të njëjta, por rezultatin e prodhojnë të njëjtë, shkruan Fokusi.info.

Sipas Klinakut, falë politikës sonë, ose jemi pjesëmarrës pasivë në bisedime (rasti Presidenti, PDK e LDK), ose nuk jemi fare pjesëmarrës (rasti VV).

Statusi i plotë:

Qasja ndaj politikës së jashtme në përgjithësi dhe ndaj dialogut në veçanti e Presidentit Thaçi e PDK-së e LDK-së, në njërën anë, dhe qasja politike e VV-së, në anën tjetër, NUK janë të njëjta, por rezultatin e prodhojnë TË NJËJTË.

Derisa Presidenti, PDK-ja dhe LDK-ja, me një politikë servile, gjithë besimin për dialogun ua falin ndërkombëtarëve, Albin Kurti e VV-ja, me një politikë populliste, bëjnë gjithçka për ta penguar dialogun e për të mos marrë pjesë në të.
Në të dyja rastet, rezultati vjen realisht nga negociatat e vështira në mes të ndërkombëtarëve dhe pastaj negociatat reale me Serbinë.

Ne, falë politikës sonë, ose jemi pjesëmarrës pasivë në bisedime (rasti Presidenti, PDK e LDK), ose nuk jemi fare pjesëmarrës (rasti VV).
Dhe natyrisht, si politika servile, po ashtu edhe ajo popullsite, të cilat realisht abstenojnë nga dialogu, rezultatin për Kosovën e prodhojnë të njëjtë – një “marrëveshje të imponuar” dhe ” me kompromise të dhimbshme”!