Beqa i reagon Latifit pas akuzës për vjedhje votash: Shko në Prokurori

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe zbardhjes së rezultateve, kanë nisur pakënaqësitë dhe akuzat e kandidatëve që nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për deputetë.

Është Blerim Latifi që sot publikisht akuzoi se njerëz të PDK’së blenë vota me nga 5 apo 10 euro në rajonin e Drenicës. Përveç asaj, Latifi tha se Kadri Veseli ishte i vetmuar në luftën për ta shpëtuar partinë.

Periskopi ka kontaktuar me kandidatin për deputet nga PDK, Hajdar Beqa i cili fillimisht tha se nuk e ka lexuar akuzën publike të Blerim Latifit. Beqa thekson se nuk ka informacione për blerje votash, megjithatë u bën thirrje atyre që dijnë diçka të tillë, t’i adresojnë tek organet kompetente.

‘’Unë nuk e kam lexu shkrimin e zotëri Latifit. Unë i respektoj dhe falënderoj gjithë simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike që kanë votuar këtë parti. Sa i përket blerjes së votave, unë nuk kam informata. Por normal jam optimist që votat ruhen ashtu qysh na i jep qytetari dhe duhet me u ruajt. Në të kundërtën është proces penal. Por nuk kam informata që dikush i ka keqpërdor votat, përndryshe duhet me i çu në Prokurori ato raste’’, ka thënë Beqa për Periskopin.

Ndër të tjerash, Blerim Latifi sot në Facebook shkroi se kandidatë nga kjo parti, kanë bërë fushatë të paskrupullt, duke blerë vota për sic thotë ai ‘disa metra drush për dimër ose lëmosha të tjera’.

Ai ka falënderuar votuesit e tij në Skënderaj, të cilët thotë se ‘mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese dhe propagandën kundër tij’.

Ja postimi i plotë i Latifit:

“PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta. I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”.
Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike. Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.
Në fund dua t’i falenderoj nga zemra votuesit e mi në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën. Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen e të mbështeten.”