Berisha – Haxhiut: Merru me gjykatat në veri, e ke komplet Serbi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë gjatë raportimit para Komisionin Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar paralajmëroi Vetting edhe në institucionet e sigurisë.

Ajo tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka krijuar grupin punues dhe po punon në koncept-dokumentin për Vettingun në institucionet kyçe të sigurisë.

Për këtë çështje, ka reaguar anëtari i Komisionit për Çështjen e Sigurisë, Hisen Berisha.

Berisha tha për Front Online se Vettingu nuk mund të bëhet nga personat që kanë shkelje nga Kushtetuesja.

Ai thotë se ministrja me këtë deklaratë po mundohet ta mbulojë punën e një viti të mbrapshtë të Qeverisë.

“Vettingu si proces duhet të bëhet por jo nga personat që po pretendojnë që janë në Qeveri dhe që janë me disa shkelje të Kushtetutës dhe nuk e di ku donë me shkuar tutje. Kjo është një retorikë boshe që po mundojnë ta mbulojnë punën e një viti të mbrapshtë sepse gjendja në vend është në nivelin më të lartë të krizës”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së thotë se Vettingu ekziston në institucionet e sigurisë.

“Është duke e kamufluar pamundësinë e saj si ministre dhe si qeveri për ta realizuar Vettingun si proces. Vettingu në institucionet e sigurisë bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe bëhet prej vitesh. Unë kam punuar në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe gjithmonë kam pasur status të Vettingut që e ka bërë NATO-ja”, u shpreh Hiseni.

Anëtari i Komisionit për Çështjen e Sigurisë, Hisen Berisha foli për Front Online edhe për situatën e tanishme në veri.

Ai tha se ministrja duhet të luftojë për kthimin e gjykatave në veri.

“Zonja Haxhiu duhet të luftojë për kthimin e gjykatave në veri dhe krijimin e kushtit për funksionimin e tyre dhe për zbatimin e drejtësisë. Sot në veri e ke komplet Serbi, një administratë e cila paguhet nga Qeveria serbe”, thotë Hiseni.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se procesi i Vettingut është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.

Por krahas kësaj, Qalaj kërkoi Vetting edhe për sistemin e sigurisë.

Vettingu është proces që synon shqyrtimin e së kaluarës së bartësve të sistemit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial të vendit. Organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë ta paraqesin sistemin e drejtësisë në Kosovë si të brishtë, me mungesë të besimit nga ana e qytetarëve dhe si të ndikuar nga politika.