Berisha i PDK-së: Zhvillimet në veri, akti i fundit para krijimit të Asociacionit

Serbët nuk po duan të punojnë më në institucionet e Kosovës. Politikanë, gjyqtarë e policë dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre.

Këtë formë, ata e përzgjodhën për të kundërshtuar vendimin e Albin Kurtit për targat dhe atë për suspendim të komandantit policor në veri, Nenad Gjuriq.

Skenari që ngjan në atë pjesë të vendit, sipas Hisen Berishes, është akti i fundit para krijimit të Asociacionit.

“Dramat që po ndodhin janë vetëm një hap larg drejt krijimit të Zajednicës. Kam paralajmëruar së kjo qeveri me ardhjen në pushtet do ta krijojë Asociacionin. Gjthmonë kam pretendu se do të jetë brenda frymës së Kushtetuese. Nuk e kam prit se cilat janë premisat dhe në çfarë skenari”, u shpreh deputeti Berisha për “Front Online”.

Këtë kërkesë e artikuluan të dielën edhe qytetarët serbë, të cilët u mblodhën për të protestuar në Mitrovicën e Veriut.

Thirrje për krijimin e këtij mekanizmi bënë edhe Amerika e BE.

Lidhur me situatën, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Serbia do të dështojë ta destabilizojë Kosovën, derisa tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët.

Berisha, që është edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvend, ka vërejtur diçka.

“Tendenca për ta bartë Kosoven nga diplomacia amerikan në atë evropian ka me na sjell në situata të palakmueshme”, vlerësoi ai për Front Online.

Sipas tij, as NATO nuk mund të ndihmojë më në procesin politik.

“Tash po shihet se edhe vetë angazhimi i NATO-s më nuk do të na ndihmojë në procesin politik. Na duhet ta administrojmë vetë procesin”, theksoi Berisha.

Ndryshe, ish-ministra e drejtorë policorë kanë riktheksuar se situata në veri nuk është aspak e qetë.