Bërnabiq i kundërpërgjigjet Osmanit: Serbët do të fitojnë, Kurti do të dështojë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se serbët do të fitojnë në barrikada dhe se kryeministri Albin Kurti, do të dështojë.

Bërnabiqi i ka reaguar deklaratës së Osmanit në Twitter, që akuzon Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq për pjesëmarrje në sulmet ndaj gazetarëve në veri ditëve të fundit.

“Më në fund, jam plotësisht dakord me Osmanin: do të fitojë demokracia dhe shteti i së drejtës. Prandaj barrikadat, serbët po mbrojnë të drejtën e tyre për të votuar (që ju ia keni hequr), të drejtën e tyre për një proces të drejtë (të cilën ju ja keni mohuar) dhe Marrëveshjen e Brukselit. Ata do të fitojnë dhe Kurti do të dështojë”, ka shkruar kryeministrja serbe në Twitter.

Përveç Osmanit, sulmet ndaj gazetarëve në veri i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Shoqata e ndryshme evropiane të gazetarëve përveç se kanë dënuar sulmet, kanë kërkuar më shumë siguri gjatë raportimit nga veriu.

Barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur që nga 9 dhjetori, si kundërshtim për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohet se organizoi sulmet ndaj komisioneve komunale zgjedhore.