Besnik Tahiri jep dorëheqje nga pozita e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore

Besnik Tahiri përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë mendije se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore.

“E kam vlerësuar se pavarësisht që mandati i këtij funksioni mbaron me një vendim tjetër të qeverisë, të paraqes dorëheqje para kryeministrit që më ka ofruar besimin për ta ushtruar këtë detyrë dhe njëkohësisht bartësit të konceptit politik e qeverisës”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka shtuar se shumë prej detyrave që ka bartur kanë dhënë rezultate, e sipas tij, disa janë në procesin final.

Postimi i plotë i tij:

Të nderuar kolegë,

Të nderuar qytetarë,

Ashtu siç e kam paralajmeruar në dhjetor 2019, dje paradite kam paraqitur dorëheqjen nga pozita e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, para Kryeministrit në detyrë z. Ramush Haradinaj.

E kam vlerësuar se pavarësisht që mandati i këtij funksioni mbaron me një vendim tjetër të qeverisë, të paraqes dorëheqje para kryeministrit që më ka ofruar besimin për ta ushtruar këtë detyrë dhe njëkohësisht bartësit të konceptit politik e qeverisës.

Në të njëjten kohë, konsideroj se shumë prej detyrave që kam bartur kanë dhënë rezultate, e disa janë në procesin final. Po ashtu, shumë nga përgjegjësitë e këtij funksioni janë bartur dhe ushtrohen nga departamentet brenda Zyrës së Kryeministrit.

E gjithë puna dhe proceset që janë zhvilluar tashmë janë në pronësi të Zyrës së Kryeministrit dhe se Kabineti në ardhje mund t’i vendos në shërbim të avancimit të proceseve të nisura.

Përgjatë gati dy viteve në këtë pozitë, jam i bindur se besimin e marrë e kam arsyetuar me përkushtim në shërbim të institucioneve, vendit e qytetarëve. Procesi është shpresëdhënës. Kjo, duke pasur parasysh nismat pozitive të institucioneve në procesin e reformës si dhe përmbushjes së standardeve synuese europiane. Pavarësisht kësaj, reforma si koncept dhe proces kërkon kontinuitet dhe energji, megjithatë janë hedhur hapat e parë.

Palëkundrur besoj se detyra jonë në shërbim të vendit nuk kufizohet nga konstrukti politik, institucional e funksioni, andaj pavarësisht pozicionit publik e politik, mbetem i përkushtuar e i gatshëm të kontribuoj në shërbim të institucioneve, vendit e qytetarëve.

Për ta përmbyllur, shpreh vlerësimin më të thellë për mbështetjen e Kryeministrit Haradinaj, kabinetit dhe gjithë akterëve institucionalë e publikë në punën e përbashkët për reformat e ndërmarra në shërbim të vendit dhe integrimit.