Bexheti: Osmani dhe Kurti u gëzuan për shkuarjen e Thaçit në Hagë

Ish-prorektori i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti në një intervistë për lajmi.net ka folur për marrëdhënien e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai e ka lavdëruar ish-presidentin për kontributin e tij për çlirim e për pavarësi.

Bexheti tha se ish-presidenti u tregua burrështetas kur pranoi që të themelohej Gjykata Speciale dhe e bëri mbi vullnetin personal për të dalë shteti fitimtarë.

“Kosova bëri një Gjykatë jo me vullnetin e vet, shumë e pandershme është që drejtuesit e Kosovës sot t’i bëjnë me gisht dhe t’i thonë ti e ke bë këtë. Po ai ka ndikuar që të bëhet, por ai e njeh presionin e përgjegjësisë, nëse nuk do ta bënte Këshilli i Evropës bashkë me amerikanët, do ta bënte një forum tjetër ndërkombëtar, qind për qind do ta bënte OKB-ja, zoti Thaçi ka qenë koshient që ajo Gjykatë do të ketë çmim të madh dhe ka qenë I gatshëm për tu sakrifikuar dhe e ka bërë atë sakrificë”, tha ai për lajmi.net.

Tutje Behxheti tha se drejtuesit aktual, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, janë gëzuar për shkuarjen e Thaçit në Hagë.

“Qeveria aktuale nuk jep asnjë mbështetje për mbrojtjen e tyre, llafe janë ato që paguajnë pare, është detyrim i Kosovës, nuk kanë luftuar për familjet e tyre atje, kanë luftuar për Kosovën, presidentja dhe kryeministri janë të gëzuar që ata janë atje, asnjë fjalë të mirë se thonë për ata atje”, ka thënë ai.