Qalaj: Kurti s’ka mundësi t’i lirojë policët e kidnapuar nga Serbia

Tash e tri javë, qytetarët serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Dhjetëra protestues janë grumbulluar në mesditë në ditën e djeshme, ashtu kanë vepruar edhe sot.

Protestat janë duke u mbajtur aktualisht të qeta, derisa javën e kaluar ishin të dhunshme.

Rashit Qalaj: Qeveria pa strategji për situatën në veri, Kurti agresivë me ndërkombëtarët

Për krejt situatën aktuale të krijuar në veri të vendit, në një intervistë për Front Online ka folur, ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Qalaj fajin për menaxhimin e situatës atje e ka hedhur tek Qeveria.

Ai tha se pushtetit i mungon strategjia për stabilizimin e gjendjes në veri.

“Qeveria nuk ka aspak menaxhim, reagon ashtu siç i tekët nuk ka as strategji e as plan që të rregullohen situata atje, nuk mund të mbahet situata e tillë vetëm me policët e KFOR-in”.

Ish-drejtori i Policisë tha se qëndrimet e Kurtit karshi ndërkombëtarëve janë agresive.

“Kurti i ka disa qëndrime që janë mjaftë agresive në raport me ndërkombëtarët, ai sillet sikur të ishte një shtet i fortë edhe ekonomikisht e ushtarakisht, është duke i dëmtuar skajshmërisht raportet në aspektin e politikës së jashtme me ndërkombëtarët, sidomos me SHBA-në”, u shpreh Qalaj.

Qalaj i ka dhënë të drejtë vetëm tek një aspekt Qeverisë.

“Nga aspekti i rendit dhe ligjin unë i jap të drejtë Qeverisë dhe janë duke vepruar mjaftë mirë, por kur ka vendime politike për çështje të caktuar duhet të koordinohet me faktorët ndërkombëtarë”, thotë Qalaj.

Qalaj: Mundësitë e Kosovës janë zero për t’i liruar policët e kidnapuar, të veprojnë ndërkombëtarët

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka komentuar edhe kidnapimin e tre policëve kosovar nga Serbia.

Qalaj tha për Front Online se mundësitë janë zero që Kosova t’i lirojë policët atje.

Ai thotë se ndërkombëtarët duhet ta trajtojnë këtë çështje.

Sipas tij, po mungon presioni i aleatëve për lirimin e policëve nga serbët.

“Kidnapimi i tre policëve kosovar ka qenë një aksion i serbëve i planifikuar mirë dhe ka qenë i koordinuar me kriminelë të Serbisë dhe ata e kanë ditur saktë se patrulla kufitare policore do të jenë në atë lokacion dhe kanë arritur që t’i kidnapojnë dhe ti dërgojnë në pjesën e Serbisë. Kjo çështja e policëve duhet të trajtohet nga ndërkombëtarët, mundësitë e Kosovës për me i liruar policët atje janë zero, faktori ndërkombëtar nuk është duke bërë presion të mjaftueshëm për lirimin e tyre ani pse e kanë bërë nga një deklaratë por insistim nuk kemi që pala serbë të lirojë policët që kanë qenë në detyrë zyrtare në territorin e Kosovës”, thotë Qalaj.

“Situata në veri është duke u përkeqësuar çdo ditë”.

Kështu është shprehur deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj për Front Online rreth tensioneve të serbëve atje.

“Kemi incidente të panumërta instrumentalizimin të skajshme të banorëve lokal nga shteti i Serbisë dhe kemi nja qasje jo serioze nga ana e Qeverisë dhe asnjëra palë nuk janë duke kontribuar që situata të jetë më e pranueshme në veri”, theksoi Qalaj.

Deputeti i PDK-së tha se KFOR-i ka ndikuar që situata në veri të qetësohet, ani pse nuk ju takon.

“KFOR-i është duke kryer një punë të cilit nuk i takon ata janë duke e dhënë një kontribut që situata të jetë sa më e qetë, krejt ato punë që është duke i kryer KFOR është dashur të zbatohen nga policia. Njësia Speciale e policisë janë të specializuar për menaxhimin me turmat, KFOR nuk ka trajnim për këtë menaxhim por është duke dhënë një kontribut të cilët kanë ndikuar shumë që situata të jetë më e qetë”, përfundoi Qalaj.

Deputeti i PDK-së: E qëllimshme mosekzekutimi i shtesave për policët

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Rashit Qalaj teksa ka folur për Front Online ka përmendur edhe mos ekzekutimin e shtesave ndaj policëve.

Qalaj tha se krejt kjo po ndodh qëllimshëm.

“E kemi ministrin e Financave të enjten do të raportojë në Parlament për Ligjin për Paga dhe ne do të shfrytëzojmë rastin që në atë seancë të diskutojmë për çështjet e ndjeshme siç është mos pagesa e shtesave për Policinë e Kosovës. Kjo po ndodh krejt qëllimshëm sepse nuk janë paraparë në ligjin përpara”, tha ai.

Javën që shkoi, protestat e serbëve në veri ishin të dhunshme, duke sulmuar gazetarë, kameramanë e përfaqësues tjerë të medieve që po e përcillnin nga afër protestën.

Të mërkurën që shkoi në këtë komunë ishin kidnapuar edhe tre zyrtarë policor të Kosovës që po patrullonin rrugët ilegale brenda territorit të Kosovës.

Ata tashmë ndodhen në paraburgim, mirëpo nuk ka më shumë informata rreth gjendjes së tyre.