Biden shpall sanksione të ashpra për Rusinë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbajti një fjalim mbi situatën në Ukrainë, ku dënoi Rusinë për fillimin e sulmit ushtarak të enjten dhe njoftoi sanksione të reja të forta dhe kufizime për atë që mund të eksportohet në Rusi.

Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin mban përgjegjësinë e plotë për sulmin ndaj Ukrainës dhe shtoi se Rusia do të përballet me pasojat për shkak të Putinit, shkruan CNN.

“Putini është agresori. Putini zgjodhi këtë luftë. Dhe tani ai dhe vendi i tij do të mbajnë pasojat”, tha Biden transmeton Demokracia.com.

“Kjo do të imponojë kosto të rënda në ekonominë ruse, si menjëherë ashtu edhe me kalimin e kohës. Ne i kemi projektuar qëllimisht këto sanksione për të maksimizuar një ndikim afatgjatë mbi Rusinë dhe për të minimizuar ndikimin mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ai.

Ai SHBA-ja do ta ndalojë aftësinë e Rusisë për të financiuar dhe rritur ushtrinë e saj.

Bideni po ashtu ka deklaruar se sanksionet amerikane do të dëmtojnë aftësinë e Rusisë për të konkurruar në ekonominë e teknologjisë së lartë të shekullit 21.

Duke përshkruar tashmë pasojat ekonomike të pushtimit, ai ka vënë në dukje se rubla ruse ka arritur nivelin e saj më të dobët ndonjëherë, dhe bursa ruse po bie po ashtu.

“Tani kemi sanksionuar bankat ruse që së bashku mbajnë një trilion dollarë aktive”, ka thënë Biden teksa ka folur për masat ndaj bankave ruse.

“Ne kemi ndërprerë marrëdhëniet me një nga bankat më të mëdha të Rusisë, e cila mban një të tretën e aksioneve bankare të vendit”, ka shtuar Biden.

Presidenti amerikan ka thënë po ashtu se SHBA-ja bashkë me aleatët e saj të NATO-s dhe BE-së do të kufizojnë Rusinë që të bëjë tregti me dollar dhe monedha të tjera.

Presidenti Biden ka përsëritur se forcat amerikane “nuk janë dhe nuk do të përfshihen” në konfliktin me Rusinë në Ukrainë.

“Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s dhe për të qetësuar ata aleatë në lindje”, ka thënë ai.

“Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s me fuqinë e plotë të fuqisë amerikane.”

Biden ka shtuar se ai beson se NATO-ja është më e bashkuar se kurrë më parë dhe se “nuk ka dyshim” se SHBA-ja dhe vendet e tjera të NATO-s do të përmbushin angazhimet e tyre të traktatit.

Mijëra forca tokësore dhe të tjera amerikane janë dislokuar në vendet e NATO-s në Evropën Lindore që ndihen të kërcënuara nga Rusia, duke përfshirë Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë në Balltik, si dhe Poloninë dhe Rumaninë.