Bideni flet për letrën që ia la Trumpi mbi tavolinë

Ish-Presidenti Donald Trump respektoi një traditë tre-dekadëshe të udhëheqësve amerikanë në largim, duke i lënë pasardhësit të tij, demokratit Joe Biden, një letër në Zyrën Ovale, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Nuk dihej menjëherë se çfarë kishte shkruajtur ai në letër. I pyetur nga gazetarët, Presidenti Joe Biden u përgjigj nga Zyra Ovale se letra ishte shumë bujare, por se nuk mund të zbulojë përmbajtjen e saj pa biseduar paraprakisht me ish-Presidentin Trump. Duke marrë parasysh largimin nga Uashingtoni para mbarimit zyrtar të mandatit të zotit Trump në mesditën e së mërkurës, dhe mungesën e tij në ceremoninë inauguruese të Presidentit Biden, u ngritën pikëpyetje nëse Trump do t’i përmbahej traditës së filluar në 1989 nga Presidenti Ronald Reagan.

Trump nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe ai dhe Biden nuk kanë folur që para ditës së zgjedhjeve presidenciale. Presidenti Trump nuk e përmendi me emër Presidentin Biden as në fjalën e shkurtër të lamtumirës në një bazë ajrore jashtë Uashingtonit. Presidentët e kaluar kanë lënë letrat e tyre në tavolinën e Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku presidentët e rinj kanë gjetur urime të mira menjëherë pas fillimit të mandatit të tyre katër vjeçar. Presidenti Reagan e filloi traditën, duke i thënë ish-nënpresidentit të tij dhe presidentit të ardhshëm George H.W. Bush: “George, unë çmoj shumë kujtimet që ndajmë dhe ju uroj gjitha të mirat. Ju do të jeni në lutjet e mia.”

Katër vjet më vonë, Bush uroi rivalin e tij demokrat, Bill Clinton, që e kishte mundur atë në zgjedhjet e nëntorit. “Suksesi juaj tani është sukses i vendit tonë. Unë tani do t’ju mbështes fort”, tha ai. Pas dy mandateve në Shtëpinë e Bardhë, Clinton i tha pasardhësit të tij, George W. Bush, djalit të ish rivalit të tij George H.W., në vitin 2001, “Ju do të drejtoni një popull krenar dhe të mirë. Dhe që nga kjo ditë, ju jeni presidenti i të gjithë neve. Ju përshëndes dhe ju uroj suksese dhe shumë lumturi.”