Bideni kërcënon Putinin: Do të keni çmim të rëndë nëse pushton Ukrainën

Gjatë bisedës telefonike që kanë zhvilluar të shtunën, presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërcënuar atë rus, Vladimir Putin, duke ia bërë të qartë se SHBA-ja është e gatshme për çfarëdo skenari, nëse Rusia vazhdon me planin e saj për pushtimin e Ukrainës.

Siç ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, Bideni i ka thënë Putinit se pushtimi rus i Ukrainës do të sillte vuajtje e do të dobësonte pozitën e Rusisë. Bideni ia ka tërhequr vërejtjen Putinit se do të ketë çmim të rëndë për Rusinë nëse pushton Ukrainën.

Sipas njoftimit, Bideni “ia ka bërë të qartë Putinit se përderisa SHBA-ja është e fokusuar për t’u angazhuar në diplomaci me aleatët dhe partnerët e saj, është po aq e përgatitur edhe për skenarë të tjerë”.

Në njoftim theksohet se Bideni ka kërkuar nga Putini që të angazhohet në diplomaci e shtensionim të situatës.