Kurti flet për padinë ndaj Malit të Zi: Prona atje është e Kosovës, synojmë t’i kthejmë edhe tjerat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me padinë që Kosova ia ka bërë Malit të Zi për kthimin e 4 mijë e 500 metra katrorëve tokë të blera dhjetëra vite më parë.

Kurti ka thënë se Kosova kërkon që toka në fjalë t’i kthehet titullarit, dhe se padia ka ardhur pas mbledhjes së arkivave dhe dokumentacioneve.

“MD, konkretisht avokatura shtetërore ka bërë padi për vërtetimin e pronësisë dhe masën e sigurisë në Gjykatën Themelore në Kotorr. Kjo për faktin se MD në bazë të arkivave, vërtetohet qartë pronësia e Republikës së Kosovës. Konsiderojmë që ajo pronë t’i kthehet titullarit të saj, dhe ajo është Republika e Kosovës. Ministria ka filluar mbledhjen e të gjitha dokumentacioneve, ku do të krijojmë një regjistër për pronat tona në shtete të ndryshme dhe pastaj do të fillojmë procedurat a vërtetimit pronësisë”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje tha se ka edhe prona tjera në hapësirën e Ish-Jugosllavisë, që siç thotë ai i takojnë Kosovës.

“Janë 22 prona të Trepçës në hapësirën e Ish-Jugosllavisë. Ne do të angazhohemi për kthimin e tyre”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi ashpër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që ia përmendi Kurtit demarkacionin me Malin e Zi, si diçka që ai ka hequr dorë nga korrigjimi i tij.