BIK-u formon komision hetues për mishin e prishur të kurbanit

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se Kryesia e saj ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar gjendjen pas prishjes së mishit të kurbanit.

Kryesia ka marrë vendim që të formojë një komision hetues që do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit.

“Kryesia e BIK pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Kurbanit për ecurinë e aksionit të therjes së kurbaneve gjatë ditëve të Kurban Bajramit, pastaj për hapat që kanë marrë pas shfaqjes së dyshimit për cilësinë e mishit, mori vendim që të formojë një komision hetues, i cili do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Ky komision do të ketë afat një muaj që të përgatit raportin e tij lidhur me këtë çështje.

“Komisioni ka për detyrë që në afat prej një muaji të shqyrtoj dhe analizoj të gjitha rrethanat dhe në bazë të të gjeturave të përgatit raport, në bazë të së cilit Kryesia do të ndërmarrë masat e duhura”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.

Në këtë njoftim BIK-u iu ka kërkuar falje kategorive sociale që kanë qenë përfitues të mishit të kurbanit.

“Kryesia e BIK i kërkon ndjesë e falje edhe kategorive sociale si përfituese të drejtpërdrejta të mishit të kurbanit si palë e dëmtuar.
Në të ardhmen do të merren të gjitha masat e duhura që gjërat e tilla të mos na ndodhin”.

BIK-u ka thënë se një kontingjent i ri i mishit të kurbanit do të vijë nga Hungaria në ditët në vijim.

“Njoftojmë opinionin edhe njëherë se ka arritur një kontingjent i mishit të kurbanit që është therur në Hungari dhe se i njëjti do t’u shpërndahet nevojtarëve në ditët në vijim. Mishi i ardhur nga Hungaria është i sigurt dhe i cilësisë shumë të mire”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.