Bislimi paraqet 5 kriteret që duhet t’i ketë drafti për Asociacionin

Zv/kryeministri Besnik Bislimi para Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë se ka dakordim të plotë për 5 kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim, drafti që propozohet nga ekipi menaxhues.

Sipas tij Asociacioni nuk duhet të parasheh një shtresë të re të qeverisjes, të jetë në përputhje me vendimin e Kushtetueses më 2015 dhe në harmoni me letrat e Mogherinit.

“E para është a kërkon ky draft, a sugjeron, a parasheh një shtresë të qeverisjes. Në rast se parasheh nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë”.

“Nën 2 a parasheh, a propozon të drejta kolektive. Nëse po e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”.

“Në 3, në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e dakorduara më 2013 dhe 2015”.

“Në 4, në ç’masë është në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 2015 dhe nën 5, në ç’masë është në harmoni me letrat që Mogherini i ka dërgu Kosovës se çfarë kompetenca, çka mund të jetë e çka jo Asociacioni”, ka deklaruar Bislimi

Sipas tij këto janë ”5 siguresa të mjaftueshme që ky mekanizëm apo ky lloj i vetmenaxhimit nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednicë”.