Reagon Hoti ndaj Kurtit: Kosova ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për intervistën dhënë medias italiane, La Reppublicca, i cili tha se Kosova rrezikohet nga lufta me Serbinë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë se Kosova ka nevojë për urtësi në qeverisje dhe se në mediat ndërkombëtare duhet të dërgohen që përçojnë pozitivitet për të ardhmen euro-atlantike.

Ai shton se karshi botës, duhet bërë e ditur se ka ende çështje të pazgjidhura, por që ato duhet të zgjidhen me dialog.

Postimi i plotë:

Kosova ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje. Nga Kosova duhet të dërgohen mesazhe që nxisin pozitivitet për të ardhmen tonë euro-atlantike, për jetë më të mirë e për sigurinë e investimeve.

Ne duhet që të sqarojmë para të gjithëve se ende kemi çështje të hapura me fqinjin verior, të cilat çështje do t’i zgjidhim me dialog, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar, sepse opcion tjetër nuk ka dhe nuk do të lejohet të ketë.