Bislimi: Pas kthimit nga Brukseli, kam marrë nga katër infuzione në ditë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka raportuar sot në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Bislimi tha se është duke marrë terapi mjekësore, andaj erdhi në Komision direkt nga klinika.

Kjo pasi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi e kritikoi atë për mostransparencë në dialog.

“Unë prej ditës së enjte jam në infuzione dhe këtu kam ardhë direkt nga klinka, nuk mendoj se është në rregull me thanë që nuk po i përmbushni obligimet”, deklaroi Bislimi.

Ai tha po ashtu theksoi se në takim me kryenegociatorin serb në Bruksel nuk kanë hapur tema të reja, por vetëm kanë raportuar për marrëveshjet e paarritura.

“Ne në Bruksel s’kemi dialogur asgjë, kemi raportuar për impelemtimet e deritanishme të marrëveshjeve dhe brengat e palëve. Ne kemi thënë në 11 prej marrëveshjeve, Serbia s’i ka zbatu obligimet e saj, BE ka thënë se pajtohemi me ju, nuk i ka zbatu. Ne vetëm kemi raportuar nuk kemi hapë tema të reja në Bruksel”, tha Bislimi.

Ai bëri të ditur se sot do ta njoftojë kryetarin e Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, lidhur me atë që është diskutuar për të pagjeturit.

“Prej ditës së enjte jam me infuzione, nga katër në ditë, dhe këtu kam ardhur direkt nga Klinika”.

“Sot do ta njoftoj kryetarin e Komisionit për të Pagjetur për atë që kemi biseduar në Bruksel edhe për këtë temë”, tha ai.