Bislimi: Taksa ishte një inat politik, u bë pa zero analizë

Besnik Bislimi, shef i Shtabit Zgjedhor të Vetëvendosjes në Interaktiv të KTV-së ka thënë se taksa ndaj Serbisë ishte një inat politik, e cila ishte bërë pa analizë.

“Është shumë indikative që Haradinaj mburret me taksën, që ka zero analizë politike, e zero vizion. E ka fut një instrument ekonomik. Ky ka qenë një inat politik. Kur e merr një vendim të tillë duhen shumë analiza. Kjo është sikur me dalë një vendim se nga nesër do të vozisim në anën e majtë të rrugës, kjo është absurde”, ka thënë Bislimi.

Tutje ai ka shtuar se Vetëvendosje do të ketë reciprocitet ndaj Serbisë.

“Ne themi se trajtimi duhet të jetë i njëllojtë, pra reciprocitet ndaj Serbisë që është edhe më i pranueshëm për ndërkombëtarët. Por, nuk mundesh me e gjet asnjë vendim të Haradinajt ku nuk ka pasur një keqpërdorim buxhetor”, është shprehur Bislimi.

Tutje ai ka folur për raportin ndërmjet Vetëvendosjes me kreun i LDK-së, Isa Mustafa, dhe sulmet që kishin bërë ndaj tij.

Ai thotë se askush nga familja Mustafa nuk ka kërkuar ndihmë për shkak të veprimeve të Vetëvendosjes.

“Tregoni një anëtar të familjes së Mustafës që ka kërkuar ndihmë për shkak të veprimeve tona”, ka thënë ai.