Blinken: SHBA mbështet integrimin euroatlantik të Kosovës, dhe dialogun e lehtësuar nga BE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas takimit me delegacionin e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Washington.

Në llogarinë e tij në Twitter, Blinken tha se SHBA-ja mbështet integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

Po ashtu theksoi dialogun me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja”. “Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Në takimin e 26 korrikut, Blinken falënderoi delegacionin e Kosovës për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.

Blinken përmendi diskutimin me krerët e shtetit të Kosovës, për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar videon nga takimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në pjesën hyrëse të takimit, e cila u bë publike, Blinken fillimisht ua përcjell Osmanit dhe Kurtit përshëndetjet e ngrohta të SHBA-së, Joe Biden.

“Mirëdita të gjithëve. Zonja Presidente, Kryeministër, e mrekullueshme të ju kemi të dyve këtu në Departamentin e Shtetit dhe në Shtetet e Bashkuara. Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta për të dy”, thotë Blinken.

Ndryshe, në janar të këtij viti, Blinken i kishte shkruar letër Kurtit, përmes së cilës ka kërkuar nga ky i fundit që Kosova t’i bëjë dy marrëveshje me Serbinë.

Blinken kërkoi nga kryeministri Kurti që t’u kushtohet vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës.

Përveç marrëveshjes për rrymë, Sekretari amerikan kërkoi nga Kurti edhe avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur.

Blinken tha se këto çështje janë në interes të Kosovës të cilat çojnë drejt një kompromisi në plan afatshkurtër.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

E gjashtë muaj pas kësaj, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë Marrëveshjen për Energjinë.

Kjo Marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parashihte që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës me emrin Elektrosever, pronare e të cilës Serbia nëpërmjet Elektroprivreda Serbia.