Bordi i drejtorëve të KRM “Uniteti”, Xhafer Tahirit: Nuk iu tolerojmë të ndërhyni politikisht në kompani

Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot ka kërkuar nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që të mos ndërhyjë politikisht në ndërmarrje.

Përmes një deklarate për media, KRM “Uniteti” kanë konsideruar se veprimet e Tahirit janë ndërhyrje direkte në menaxhim të kompanisë.

Deklarata e plotë:

“Duke e pasur parasysh situatën e krijuar me komunën e Vushtrrisë ku në mungesë të kontratës apo marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të heqjes së mbeturinave, KRM “Uniteti” zyrtarisht ka ndërprerë këtë shërbim me datën 22.07.2019, kërkojmë nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, z.Xhafer Tahiri që të mos ndërhyjë politikisht në ndërmarrje.

KRM “Uniteti” është ndërmarrje publike regjionale për të cilën ligjet në fuqi nuk lejojnë ndërhyrje politike, pasi që kompanitë publike funksionojnë si Shoqëri Aksionare dhe janë të pavarura në menaxhim të brendshëm dhe në kryerjen e afarizmit të tyre.

Veprimet dhe deklarimet e fundit të kryetarit të komunës konsiderojmë se janë ndërhyrje direkte në menaxhim të kompanisë, e të cilat janë të papranueshme dhe nuk do tolerohen. Pra, KRM “Uniteti” në asnjë formë nuk do të lejoj ndërhyrje politike.

Po ashtu kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë që të mos bie pre e presionit të kryetarit Xhafer Tahiri, ashtu siç ra dje nën diktatin e tij.

KRM “Uniteti” do të vazhdoj me përgjegjësi të iu ofroj shërbime qytetarëve në të gjitha ato komuna ku kemi marrëveshje apo kontratë dhe do të jemi në shërbim të zbatimit të legjislacionit që i rregullon ndërmarrjet publike.

Bordi i Drejtorëve rikonfirmon mbështetjen për vendimet dhe veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv në lidhje me situatën e krijuar me komunën e Vushtrrisë.”