Borrell: Propozuam një model evropian e serioz për Asociacionin, palët s’u pajtuan pa parakushte

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur përpara mediave pas takimeve maratonike sot në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku ka thënë se për fat të keq nuk ka pasur marrëveshje.

Borrell para mediave ka thënë se janë të shqetësuar lidhur me situatën midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo ka qenë arsyeja e takimeve të ndara sot së bashku me kryeliderët e vendeve evropiane.

Ai ka treguar se BE së bashku me Macron, Scholz e Meloni kanë propozuar një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe veprimet terroriste që i kemi dënuar sërish në takim, dhe sot jemi takuar ndarazi me kryeministrin Kurti së bashku me presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni dhe pastaj me presidentin Vuçiq për të diskutuar për situatën dhe për të shpjeguar se rruga e vetme përpara është normalizimi përmes dialogut dhe se BE kërkon normalizim marrëdhëniesh midis dy vendeve dhe kemi një pengesë të madhe që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe në mënyrë që t’i afrojmë palët drejt një marrëveshje, ne të gjithë së bashku propozuam një propozim evropian, serioz dhe të balancuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe insistuam te palët që të marrin këtë rast që do të ishte hap i madh përpara dhe për të parandaluar çdo episodë dhune të mëtejshme.”, ka thënë Borrell.

Më tutje, ai është shprehur se palët nuk ishin të gatshme të pajtohen pa parakushte dhe parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për palën tjetër (duke lënë të nënkuptohet se të dy palët kanë pasur të tilla).

Për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të pajtohen me këtë pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër dhe në fund, ne kërkuam palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse është mënyra e vetme të avancojnë në rrugën evropiane, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për arritjen e një marrëveshjeje, por sot për fat të keq, nuk ishte e mundur pa parakushte nga njëra palë që ishte e papranueshme nga pala tjetër.”, tha Borrell.