Borrell: Shtetet anëtare të BE-së duan që tensionet në veri të ndalen

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka qenë sot në një takim me përfaqësues se shteteve anëtare të BE-së ku ka raportuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një konferencë për media, ai ka theksuar se ata i ka informuar për takimet që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet në veri të vendit. Borrell theksoi se Kurtit dhe Vuçiq u prezantoi një plan për situatën, sipas tij, kjo nuk e ka ndonjë efekt.

“Fatkeqësisht, takimi nuk solli një rezultat të menjëhershëm. Shtetet anëtare e theksojnë shqetësimin e tyre të madh për zhvillimet e vazhdueshme në veri të Kosovës dhe theksojnë rëndësinë që palët të de-përshkallëzojnë situatën në përputhje me atë që kemi paraqitur në një deklaratë të 3 qershorit”, ka thënë Borrell.

Ndër tjera, Borrell theksoi se shtetet e BE-së do të ndërmarrin masa nëse duhet për procesin e dialogut.

“Shtetet anëtare do të marrin masa nëse është e nevojshme për të rritur ndikimin e Bashkimit Evropian. Dhe për të mbështetur dialogun për normalizim”.

Borell theksoi se e mirëpresin “lirimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës që u mbajtën në Serbi”.