Kurti takon ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik ‘Ulpiana’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti ka pritur në takim Christophe Goddard nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris, Arben Hajdarin profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Milot Berishën, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Me këtë rast, Kurti ka falënderuar ata për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që janë duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa është informuar për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

“Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.