Bujqit francezë e rrethojnë me traktorë Parisin

Bujqit francezë e kanë rrethuar të hënën Parisin duke i vendosur traktorët si barrikadë dhe duke vozitur ngadalë, në përpjekje për ta shtuar trysnin ndaj Qeverisë franceze për të ardhmen e industrisë së tyre, e cila ka marrë goditje të rëndë nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Ata i përdorën automjetet e tyre të rënda dhe të ngadalshme për t’i bllokuar autostradat që çojnë drejt kryeqytetit francez.

Protesta në Paris – nikoqirin e Lojërave Olimpike Verore pas gjashtë muajve – si dhe protestat në qytetet e tjera franceze, bëjnë që kryeministri i ri, Gabriel Attal, të përballet me një javë të vështirë një muaj pasi e mori postin.

Attali nuk ia doli t’i ndalë protestat e bujqve, megjithëse mori masa në favor të bujqësisë javë e kaluar, pasi bujqit i cilësuan ato si të pamjaftueshme për kërkesat e tyre që prodhimi i ushqimit duhet të jetë më fitimprurës, më i lehtë dhe më i drejtë.

Protestuesit u përgjigjën me zhvendosjen e qindra traktorëve, rimorkiove dhe madje kombajnave për ta bllokuar dhe ngadalësuar komunikacionin, duke e përshkruar këtë si “rrethim” për ta shtyrë Qeverinë e Attalit të lëshojë pe.

Disa protestues mbërritën me rezerva ushqimi dhe uji, si dhe tenda për të qëndruar pranë barrikadave, nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre.

Protestuesit thanë se ndihen të shpërfillur nga ministrat qeveritarë, të cilët i akuzuan se rrallëherë guxojnë t’i vizitojnë bujqit dhe t’i baltosin këpucët e tyre.

Qeveria njoftoi se i ka zhvendosur 15.000 zyrtarë policorë, kryesisht në rajonin e Parisit, për të mos lejuar futjen e protestuesve në kryeqytet.

Në disa prej autostradave që i bllokuan, protestuesit vendosën në traktorët e tyre afishe me mbishkrimin: “Pa bujq, nuk ka ushqim”, dhe “Fundi ynë nënkupton krizë urie për ju”.