Bulliqi: Kemi gjetur mirëkuptim te Grupi i PDK-së

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pas prezantimit të ekzekutivit, e ka bërë edhe një sqarim rreth bashkëpunimit me PDK-në.

Ai nuk e ka quajtur koalicion qeverisës, por ka thënë se kanë gjetur mirëkuptim te Grupi i këshilltarëve të kësaj partie.

“Sqarim opinionin publik dhe mediat. Me qëllim të funksionalizimit dhe konsolidimit të legjislativit dhe ekzekutivit të komunës, ne i kemi përfshirë dy drejtorë që vijnë nga radhët e PDK-së dhe e kemi votuar edhe kandidatin e tyre për kryesues kuvendi. Duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e numrave në Kuvendin Komunal dhe përgjegjësisë që na obligon si parti fituese e zgjedhjeve dhe mirëkuptimit që kemi hasur te grupi i këshilltarëve të PDK-së, kemi bërë më të mirën e mundshme që të vazhdojmë qeverisjen e mirë në katër vitet e ardhshme”, ka shkruar Bulliqi.