Bulliqi krenohet se ia ndali kontratën TV Llapit: Na mshojke kapak

Në një takim me qytetarët, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka folur në lidhje me mediat që kanë përcjellë aktivitetin e komunës. Në fjalën e tij, ndër të tjera Bulliqi ka përmendur televizionin lokal të Podujevës, TV Llapi, duke thënë se më parë kanë pasur kontratë, por më nuk mund ta vazhdojnë për shkak se kjo media ka nisë të bëjë opozitë.

“Filloi të na bënte opozitë dhe na mshojke kapak,” është shprehur Bulliqi, duke arsyetuar kështu mosvazhdimin e kontratës me median në fjalë.

Lidhur me këtë deklarim, ka ardhur edhe reagimi nga Tv Llapi,me anë të së cilit është bërë një sqarim për publikun.

Nga televizioni kanë thënë, se ata kanë vënë re një tendencë të Bulliqit, për të futur nën kontrollë Tv Llapin dhe për të ndikuar në përmbajtjen e lajmeve rreth zhvillimeve në komunë.

Sipas reagimit nga ky televizion, kryetari Bulliqi ka bërë përpjekje të ndikojë në atë se çka duhet të publikohet e çka jo.

Më tutje, nga Tv Llapi kanë deklaruar se ata nuk kanë dashur të bëjnë publike këto tendenca për ‘kapje”, por meqë ishte vetë Bulliqi që ka folur për çështjen, duan ta konfirmojnë si të saktë fjalën e tij.

“Pasi vet z. Bulliqi ka bërë publike një te vërtetë, që nuk i’u kemi nënshtruar, ne konfirmojmë si të saktë këtë pohim. Ne nuk i nënshtrohemi asnjë partie politike. Duam të sigurojmë publikun se, do të vazhdojmë që të kryejmë punën tone, të publikojmë te gjitha lajmet që janë në interes qytetar, pasi ky është misioni i mediave të pavarura,” janë shprehur nga ky televizon.

Ndërsa, gjithë sqarimi i tyre për publikun, përfundon me frazën e përdorur fillimisht nga Kurti, “nuk kalon”.

“Tendenca për të kontrolluar mediat për interes të pushtetit nuk kalon,” kanë shkruar nga TvLlapi, drejtuar kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.