Buxheti i Eurozonës – Franca dhe Gjermani bien dakord mbi propozimin e përbashkët

Franca dhe Gjermania kanë rënë dakord për një propozim të detajuar për buxhetin e Eurozonës për të nxitur rritjen ekonomike, forcuar konkurrencën dhe për të ulur hendekun e zhvillimit midis shteteve anëtare.
Marrëveshja franko-gjermane pritet t’i hapë rrugën për një marrëveshje më të gjerë në grupin e ministrave të financave të eurozonës, i cili do të diskutojë muajin e ardhshëm mbi krijimin e një instrumenti të ri.
“Qëllimi i instrumentit buxhetor të eurozonës do të ishte të nxisë konkurrencën dhe konvergjencën në Eurozonë”, thuhet në dokumentin e përbashkët franko-gjerman të siguruar nga Reuters.
Por, ky instrument i ri nuk do të jetë i disponueshëm para vitit 2021. Kjo nënkupton se madhësia e buxhetit do të përcaktohet në negociatat për buxhetin e vitit të ardhshëm të bllokut të cilat do të nisin gjatë këtij viti.
Në propozimin e tyre të përbashkët, Franca dhe Gjermania sugjerojnë se buxheti i eurozonës duhet të mbështesë reformat kombëtare për secilin shtet anëtar. Instrumenti i ri do të bazohet në një akt nënligjor të BE-së që rregullon funksionimin e tij dhe përcakton prioritetet dhe marrëveshjet shtesë ndërqeveritare.
Më tej, referuar propozimit shtetet do të paraqesin reformat dhe propozimet për projektet që do të mbështeten sipas instrumentit buxhetor në Komisionin Europian, i cili më pas do të miratojë këto plan në konsultim me qeveritë.
Këto të fundit nga ana tjetër, do të jenë të detyruara sipas propozimit që të bashkëfinancojnë pjesë të konsiderueshme të projekteve dhe të investimeve nga buxhetet kombëtare.