Bytyçi: Komuna e Prizrenit shpërndanë farë gruri të importuar nga Serbia

Koordinatori i PDK-së në Prizren, Jeton Bytyçi, ka kritikuar Komunën e Prizrenit, përkatësisht Drejtorinë e Bujqësisë, për shpërndarje të farës së grurit të importuar nga Serbia.

Reagimi i plotë i Jeton Bytyçit në profilin e tij në ‘facebook’:

“Komuna e Prizrenit, konkretisht Drejtoria e Bujqësisë, tradicionalisht bënë shpërndarjen e farës së grurit për fermerët e komunës së Prizrenit. Drejtoria e Bujqësisë edhe këtë vit vazhdoi realizimin e projektit “Furnizimi me farë gruri” për fermerët lokal. Gjatë shpërndarjes së farës së grurit, ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Eshref Memaj dhe drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani.

Ajo qka bie në sy, është se pushteti aktual i udhëhequr nga Vetëvendosje, asesi nuk po e anashkalon shtetin “amë” Serbinë, ku fort trashë i ka ndërtu lidhjet me shtetin serb, për të bërë biznis në Kosovë. Lajmi i keq është se edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka rënë pre e këtij partneri joserioz në koalicion, duke i shkelur të gjitha premtimet elektorale, rreth kauzave të rrejshme për bashkim kombëtar.

Vetëvendosje ka premtu bashkim kombëtar me Shqipërinë, ndërsa me këto veprime, VV bashkimin kombëtar e dëshiron me Serbinë, sepse nuk është hera e parë që komuna, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bënë veprimin e njejtë, ku importon mallra nga Serbia.

Në krejt këtë situatë, më e dhimbshme është fakti që edhe populli kësaj here, u manipulua keq nga VV, duke e votuar verbërisht një subjekt, i cili ndryshe deklaron në fushata gjatë kohës sa ishte në opozitë, ndërsa tani ndryshe vepron në realitet, në kohën e qeverisjes, apo më mirë të thuhet në kohën e keq-qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e Bytyçit.