Caktohet konferenca para apelit në rastin e Salih Mustafës

Më 9 shkurt, kryetarja e Panelit të Gjykatës së Apelit, Mishelë Pikar, në bazë të rregullës 178 të Rregullores, ka caktuar datën për mbajtjen e konferencës para apelit në çështjen Salih Mustafa për 16 shkurt 2022 në ora 10:00.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjithashtu, Gjykatëse Pikar urdhëroi mbrojtjen të dorëzojë versionin e redaktuar publik të njoftimit për apel deri më 13 shkurt në ora 12:00.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.