Caktohet seanca e radhës në Speciale ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Është caktuar konferenca e radhës statusore në rastin e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale. Seanca e radhës ndaj Hashim Thaçiit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të mbahet me 20 maj.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit të lëshuar nga Zyra e Dhomave të Specializuara.

Në mesin e temave që pritet të diskutohen do të jenë edhe çështja e materialeve, përgatitjet për gjykim, hetimet e prokurorisë dhe mbrojtjes.

Kjo konferencë, vjen pak ditë pasi krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat e reja të Prokurorisë.

Kujtojmë që deri tash janë ngritur 4 aktakuza. Disa janë në proces gjykimi, e aktakuza me më shumë peshë deri tash, ajo kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryepralmentarit, Kadri Veseli, Ish-Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi e ish-Shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi është ende në faza përgatitore.

ZPS-ja i ka shtuar dy lokacione të reja në aktakuzë, Budakovën e Suharekës dhe Gjilanin.