Canaj: Haradinaj e Hoxhaj po mbajnë më shumë kontakte me ShBA-në se Qeveria

Ish-diplomati Blerim Canaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, në lidhje me raportet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Canaj në RTV Dukagjini, tha se fakti që opozita takohet më shpesh me zyrtarë të SHBA-së, tregon se Qeveria s’i ka punët mirë.

Ai i përmendi vizitat e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhajt të PDK-së, në SHBA.

“Kur e shoh Haradinajn që shkon në Amerikë e takon njerëz më vjen mirë. Më duket se ende po e kemi një shpresë edhe një person tjetër që ka komunikim është Hoxhaj i PDK-së. Edhe tash jemi në një pozitë të tillë, që opozita po i mban kontaktet me partnerët kyç. A po i bie që qeveria jonë i ka punët mirë? Absolutisht jo!. A i bie që konsekuencat për Kosovën të shtohen, absolutisht po. Bashkësia ndërkombëtare, ShBA janë të lodhura nga veprimet donkishotiane të Kurtit”, tha ai.