Canolli-Kaçiu thotë se nuk ka parë e as dëgjuar për njerëz të ndaluar e maltretuar në Zllash

Dëshmitarja e pesëmbëdhjetë e mbrojtjes së Salih Mustafës, Ibadete Canolli- Kaçiu, tha se sa ka qëndruar në Zllash, nuk ka parë e as nuk ka dëgjuar për njerëz të ndaluar apo maltretuar në këtë lokacion.

Ajo duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes, ka deklaruar se  në fillim të marsit të vitit 1999 ka jetuar në Prishtinë dhe ka punuar te Flora Brovina.

Nga 24 mars deri me 31 mars ajo tha se ka qëndruar në shtëpinë e saj, kurse tha se me 31 mars ka filluar shpërngulja e popullsisë të banorëve të Prishtinës, ku forcat paramilitare dhe militare serbe kanë dashur të bëjnë pastrim etnik.

Më pas, tha se ka qëndruar me familjen e gjerë në një shtëpi në Mramor. Kurse, bëri të ditur se nga data  16 prill i është bashkangjitur guerillës së Prishtinës në Zllash.

E pyetur se pse është aq e sigurt që ka qenë data 16 prill kur është bashkuar gueriles në Zllash, ajo tha se  e mban mend pasi ka qenë dy ditë para ofensivës.

Ajo tha se nga marsi i vitit 1998 ka kontribuar për UÇK-në, fillimisht në Prishtinë dhe në zonat e prekura nga lufta, kryesisht në zonën e Drenicës, ku ka punuar me Flora Brovinën, me civilët dhe të plagosurit.

Ndërsa, kontaktet me anëtarët e guerrilës tha se i ka pasur po në atë qendër ku ka punuar.

Kjo guerilë tha se quhej BIA me inicialet e tre heronjve të populli, Bahri, Ilir e Agron.

Sipas saj, udhëtimin e ka bërë në këmbë deri në Zllash.

“Dy ditë më herët i pata thënë pronarit të shtëpisë të më kontaktoj me ushtarët, dhe atë ditë kanë ardh më kanë marrë tre ushtarë”, tha ajo, kurse shtoi se rruga ka zgjatur ndoshta më shumë se tre orë.

Këta tre ushtarë që e kanë shoqëruar për në Zllash, Canolli- Kaçiu tha se nuk e di dhe nuk i kujtohet a kanë qenë anëtarë të guerrilës.

Ajo tha se në Zllash kanë qenë disa shtëpi të shpërndara, por se nuk mund të jap përshkrime detajisht pasi ka kaluar kohë e gjatë.

Ndërkaq, tha se kur arriti në Zllash te ato shtëpi nuk  duhej t’i lajmërohej dikujt dhe se ka hyrë lirshëm.

“Disa  prej tyre më janë njohur, pronari i shtëpisë i ka njoftu se jam në shtëpinë e tij, po unë nuk kam pas nevojë t’i lajmërohem askujt”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja tha se në fund të oborrit i kujtohet se ka qenë një bunar, ku aty afër e ka takuar Isa Kastratin, i cili ka qenë udhëheqës i guerrilës që e ka takuar edhe në Prishtinë.

Po ashtu, konfirmoi se për dy ditë ka ndenjur në ato shtëpi në Zllash, ndërsa shtoi se është vendosur në objektin e sipërm që ka qenë afër bunarit që përshkroi, ku ka qenë një objekt më i ri, sipas saj sigurisht ishte i ndërtuar më rishtazi, ku në dhomën e vogël ku ka qëndruar, ka pasur një barnatore të vogël e një shtrat.

Ajo tha se më shumë kishte qëndruar brenda në shtëpi, ku ka bërë përgatitjet për ofensivën që i priste, dhe nuk ka bërë shumë qarkullim në oborr, andaj për një fotografi që iu tregua, tha se nuk po i  kujtohen këto hapësira.

Edhe për disa objekte tjera në një fotografi që iu tregua, ajo tha se nuk po i kujtohen.

Lidhur me një vijë të kuqe të bërë në një fotografi, ajo konfirmoi se vet e ka bërë këtë vijë në objektin në fjalë.

“Mendoj se këtu ka qenë bunari dhe afër tij pema, për të cilën folëm më parë. Pema ka qenë brenda rrethojës afër bunarit, aty ka qenë mbështetur Isa Kastrati, duke i dëgjuar lajmet”, tha ajo.

Objekti në afërsi të bunarit, ajo tha se mendon se ka qenë objekti i rinovuar, ku ajo qëndruar në njërën pjesë, ndërsa në pjesën tjetër që ka qenë me ndarje, kanë qenë ushtarët dhe dy familje me fëmijë të tyre, ajo e Fatmir Humollit dhe një plaku, që tha se e quanin axha Mejdi.

Sipas asaj, në mbrëmjen e 16 prillit ka filluar menjëherë me pastrimin e ambientit, ka klasifikuar materialin, kurse me datën 17 prill tha se gjithë ditën ka përgatitur material, kurse me 18 prill  deklaroi se kanë filluar bombardimet.

Ndërkaq, nga data 20 prill deri në 21 prill, ajo tha se kanë qëndruar në mal,në qiell të hapur, ku me 21 prill kishin filluar të tërheqin të plagosurit dhe kanë shkuar në fshatin Majac.

Dëshmitarja Canolli – Kaçiu tha se Salih Mustafën e ka takuar me datën 21 prill, kur kanë filluar të zhvendosin të plagosurit për në Majac.

Ajo tha se para shkuarjes në Zllash, e kishte takuar atë edhe në Prishtinë, por se gjatë qëndrimit në Zllash para ddatës 21 prill nuk e ka takuar.

“Salih Mustafa me sa kujton ka qenë përgjegjës për sigurimin e civilëve dhe ushtarëve në zonën, ku ky ka vepru dhe këtë përgjegjësi e ka ndarë bashkë me doktoreshën Flora Brovina,e kam taku në ordinancën ku kam punu aty”, tha Canolli- Kaçiu

Ajo konfirmoi se sa ka qëndruar në Zllash ka ofruar ndihmë mjekësore për ushtarë të UÇK-së e edhe civilë.

“Edhe gjatë plagosjes së tyre, por edhe ata që nuk janë ndjerë mirë, kanë qenë disa me probleme shëndetësore, ftofje, diarre, nashta kam pas mundësi ju kam ofru ndihmë”, bëri të ditur ajo.

Ndërkaq, deklaroi se sa ka qëndruar në Zllash nuk ka vërejtur se objektet janë ruajtur nga rojet.

Kurse, tha se sa ka qëndruar në këtë vend, nuk ka parë që ka pasur persona të ndaluar aty.

E  pyetur se a ka parë apo dëgjuar që dikush të jetë maltretuar aty në atë lokalitet, kjo dëshmitare mohoi këtë.

Ndërsa, tha se gjatë kësaj kohe sa ka qëndruar në Zllash, ka pasur ushtarë me uniformë dhe pa uniformë, pasi jo të gjithë kanë qenë të uniformuar. Kurse, disa tha se i ka njohur pasi kanë qenë të lagjes së saj, por se nuk ka mundur të i njoh të gjithë ushtarët.

Sa ka qëndruar në Zllash, ajo tha se në këtë lokalitet ka pasur edhe civil.

Të ngjajshme

DhSK: Trupi gjykues lëshoi urdhër duke caktuar 26 majin si…

12 Maj, 2022, 15:57

Hadri thotë se në librin e saj përmendi edhe Salih Mustafën

11 Maj, 2022, 16:00

Mungojnë ekspertët mjekësor, shtyhet gjykimi në rastin ku…

11 Maj, 2022, 15:26

Ajo tha se atë askush nuk e ka penguar që të laroghet nga lokaliteti në Zllash, por se nuk i janë dhënë mundësitë.

Sa i përket energjisë elektrike, kjo dëshmitare tha se sa i kujtohet nuk ka pasur. Ndërkaq, tha se personalisht  nuk ka  parë televizion në atë lokalitet.

Isa Kastratin, ajo tha se e ka takuar edhe pas 16 prillit, çdo ditë, deri me datën 21 kur ai është vrarë.

“ Kemi qenë duke tërheq të plagosurit, ka qenë me një veturë  me Sokol Sopin dhe Afrim Vitinë, me një udhëkryq kemi pas planin me vazhdu për Majac, ai ka vazhdu në drejtim tjetër, kemi ni krismat, dmth është vra duke luftu me armikun”, tha ajo e emocionuar në mes lotësh.

E pyetur se a ka dëgjuar se dikush po thirret me emrin Tabuti gjatë qëndrimit të saj në Zllash, ajo mohoi të ketë dëgjuar për këtë. Ndërkaq, po ashtu tha se nuk ka dëgjuar që dikë po e thërrasin me emrin Dardan dhe njëjtë deklaroi edhe për emrin Irmi Vela, si dhe mohoi të ketë dëgjuar se dikush po thirret me emrin “Vdekja”.

Hadri e përfundon dëshminë e saj në gjykimin e Salih Mustafës, seanca do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitares tjetër

(Përditësuar, ora 11:40)- Në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, e ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes, Teuta Hadri.

Ajo e ka filluar dëshminë e saj të mërkurën, ku është përgjigjur në pyetje të mbrojtjes e prokurorisë.

Dëshmitarja Teuta Hadri, gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësja e viktimave, ka deklaruar se sa ka qëndruar në Zllash, në mëngjes kanë pasur rrymë elektrike, e për pjesën tjetër të ditës, bëri të ditur se nuk e di a ka pasur.

Ajo sërish konfirmoi se data 16 prill 1999 është ajo që ka hyrë në Zllash dhe për një pjesë të ditarit të saj të mbajtur gjatë luftës që iu tregua, ajo tha se edhe në ditar, edhe në deklaratën te mbrojtja, prokuroria e trupi gjykues, ka thënë se 16 prilli është data kur ka shkuar në Zllash.

Tutje, mbrojtësja e viktimave i lexoi një pjesë të ditarit të saj, sa i përket ditës kur shkoi në Zllash dhe u pyet se ndërtesa që e përshkruan në ditar a është e njëjta me atë që e përshkroi një ditë më parë te shtabi.

Mbrojtësja e viktimave i tha se mënyra si e shpjegon në ditar shtëpinë është e ndryshme nga ajo si e shpjegoi një ditë më parë në gjykatore, por dëshmitarja tha se është e njëjtë forma e përshkrimit në ditar me atë që deklaroi një ditë më  parë.

Tutje, mbrojtësja tha se në një pjesë të ditarit flet me më hollësi për çka kishte në dhomat e kësaj ndërtese.

“Në faqen 253 që shihet në ekran, flisni më me hollësi për dhomën që shkruani këtu në ditar dhe shkruani përballë divanit ku isha ulur unë ishte një dollap me lloj  armës, karikatorë me fishekë, tre plumba të gjatë ishin vendosur, ishte një tavolinë me telefon satelitor dhe kompjuter. Cila për dhomat bëhet fjalë se më duket e njëjta dhomë që përshkruanit në ditar më parë”, ka  pyetur ajo Hadrin.

“Këtu e kam përhskru po si pjesë e librit, dollapi i ka pas vetëm fishekët, dhe arma ka qenë e komandantit e vjerrë aty, por janë fishekë të vogël të ekspozum aty, kompjuteri ka qenë në dhomën tjetër jo kur isha unë këtu, tani ndërkohë kur e kanë pru nashta, tash 20 vjet e kam shkru kto, se kom pa të arsyeshme në detaje që kam me ardh këtu që a o bart kompjuteri nga kjo dhomë te dhoma tjetër. Diqysh qesharake, se kam mendu që”, tha Hadri.

Tutje, ajo tha se ajo ka qenë shtabi i tyre, shtëpi të vogla, e se populli ishte i lidhur me UÇK- e po mos të ishte populli nuk do të fitohej lufta e se të njëjtët kanë lëshuar shtëpitë e tyre.

Gjatë marrjes në pyetje nga trupi gjykues, Hadri ka deklaruar se nga shtabi kanë qenë diku 10 metra për të shkuar në dhomë të fjetjes dhe se në shtab ka pasur vetëm shilte e se nuk e di nëse dikush ka fjetur atje.

“Po, kur është bërë lufta, ti ke flejt edhe në dru, edhe në shilte. Unë thash dje ka qenë 10 metra, ndoshta ka qenë edhe 20 metra, se nuk i kam mat. Dhomat kanë qenë në përgjithësi aty shumë të vogla dhe nuk i kemi mat. Burrat kanë nejt ashtu veçantë, ne gratë kemi nejt veçantë. Nuk kemi shku me pa qysh kane flejt burrat”, tha Hadri.

Sipas  gjykatësit, ajo ka thënë në deklaratë të mbrojtjes se askush nuk flinte në shtab, kurse ai nga deklarata dje e dëshmitares ka kuptuar se flinte dikush në shtab.

Ai kërkoi të informohet se a flinte apo nuk flinte dikush në shtab.

“Nuk ka flejt, nuk e kam pa, nuk ka flejt kush. Nuk kam shku me kqyr, unë kam flejt në dhomën time, në dhomën e grave. Kjo është”, tha Hadri.

Kurse, tha se shtabi ka qenë shtab i ushtarëve dhe ashtu i thonin “shtab” këto dy dhomave.

Tutje, tha se sa i kujtohet se pas ofensivës serbe, me 19 apo 20 prill janë kthyer në Zllash.

“Edhe drunjt ishin kall. S’ka pas mo serb aty se e kishin arrit qëllimin, e kishin kall Zllashin”, tha Hadri.

Ajo tha se ishte shkatërruar cdo gjë dhe se bukën e kanë ngrënë në këmbë.

“Nuk kam mujt as bukë të ha, se na ka mbet buka në gojë se kanë sulmu forcat serbe. Në këmbë kena hangar”, tha ajo, ku paraprakisht tha se dy apo tre ditë nuk kishin ngrënë bukë.

Seanca pritet të vazhdoj me dëgjimin e dëshmitares tjetër, Ibadete Canolli – Kaçiu.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, sot e vazhdon dëshminë e saj Teuta Hadri

Në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, do të vazhdojë deklarimin e saj dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes, Teuta Hadri.

Ajo e ka filluar dëshminë e saj të mërkurën, ku është përgjigjur në pyetje të mbrojtjes e prokurorisë.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.