Universiteti Prishtinës hap nesër konkursin për pranimin e studentëve të rinj

Universiteti i Prishtinës nesër hap konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019/2020.

Kjo u bë e ditur nga dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Në një publikim në Facebook, Dugolli ka theksuar se maturantët që sapo kanë diplomuar dhe të gjithë të interesuarit e tjerë edhe jashtë Kosovës kanë mundësi të jashtëzakonshme, që rrugën e tyre drejtë karrierës, t’a ngrisin në ndonjërin prej 30 fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, që numërojnë dhjetëra programe e specializime.

“Kandidatet për student, do kenë shumë oferta, shumë kolegje e universitete të tjera, por asnjëri nuk mund t’i afrohet cilësisë së universitetit tonë, pavarësisht përpjekjeve të çdo llojllojshme për t’a penguar UP-në, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.Fakulteti Filozofik, në tetë drejtimet e tij të Akredituara (BA: Histori, Filozofi, Sociologji, Psikologji, Shkenca Politike, Puna sociale, Antropologji kulturore dhe Arkeologji), do të pranoj 727 studentë, numër ky i miratuar nga Senati i Universitetit, ndërsa mënyra e aplikimit koha dhe vendi, të gjitha janë të detajuara në njoftimin që do të postohet në faqen elektronike të fakultetit tonë”, ka thënë Dugolli.

Dugolli gjithashtu tha se UP dhe studentët e tij kanë bërë revolucion në shoqërinë tonë dhe se UP është gur-themeli i shtetit.

Ai konsideron se e gjithë plejada akademike e Kosovës doli pikërisht nga UP-ja.