Çështja e këmbimit të pronave, Përparim Rama thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin – fton Prokurorinë Speciale për hetim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e jashtëzakonshme në kuvendin komunal të Prishtinës në lidhje me çështjen e këmbimit të pronave ka mbajtur një fjalim ku ka thënë se ka vepruar në përputhje me ligjin, përcjell Periskopi.

Ai ka bërë thirrje që të kenë kujdes me vendimin që do të marrin sot në Kuvendin Komunal në lidhje me këtë temë, pasi kjo sipas tij do të ketë pasoja në të ardhmen.

Ai ndër të tjera i ka quajtur spekulime raportimet në media për këtë temë e pas kësaj fajësoi ministrinë e Financave për suspendimin e vlerësimit të pronave.

“Ne kemi vepruar në cdo moment në lidhje me këtë proces në përputhje me ligjin dhe manualin e ministrisë të pushtetit lokal për këmbim të pronave. Ju e dini saktë cka thotë manuali për këmbimin e pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent dhe secilin vendim që do të merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit sic më obligon ligji jam i obliguar të i zbatoj vendimet e këtij Kuvendi. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat janë tuajat”, tha ndër të tjera kryetari Rama.