Çfarë do të ndodh me personat që hyjnë në Kosovë pas mbylljes së karantinës

Në mbledhjen e sotme të qeverisjes në detyrë u morë vendim që nga data 30 maj të mos ketë më asnjë hapësirë për karantinë.

“Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimet:

Vendimi i Qeverisë nr.01/13 i datës 18/03/2020, me të cilin Qendra e Studentëve në Prishtinë është caktuar si hapësirë karantine;

Vendimi i GNMI MPBAP Nr.140/2020 i datës 25/03/2020, me të cilin është caktuar qendra për të huaj në Vranidoll si hapësirë karantine”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit, në vijim të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

“Ministria e shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse. Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse”, thuhet në njoftim.