Çfarë është një test serologjik dhe pse ka rëndësi të madhe?

Të hënën nis testimi serologjik në Spitalin Infektiv që do aplikohet fillimisht tek bluzat e bardha. Po ç`nënkupton ai dhe cila është rëndësia konkrete që ka?

Shumica e shteteve po përdorin testin e thjeshtë që me teknikën e quajtur PCR kërkojnë materialin gjenetik të virusit përmes hundës ose fytit. Mirëpo ky test nuk tregon nëse ke qenë më parë i infektuar, por vetëm në momentin aktual në të cilin merret mostra.

Ndaj nevojitet testi serologjik që ka aftësinë përmes analizimit të gjakut të zbulojë nëse virusi ka qenë ndonjëherë në trup. Kjo zbulohet përmes sistemit imunitar dhe nëse ky i fundit ka qenë ndonjëherë në kontakt me virusin. Pra, kjo procedurë nuk i përgjigjet pyetjes: “A ka ky njeri koronavirus?”, por “A ka pasur ndonjëherë koronavirus më trupin e këtij njeriu?”

Vlera më e madhe e këtij testi mendohet të jetë gjetja e të mbijetuarve të cilët do ta dhurojnë gjakun e tyre të pasur me antitrupa, për të tjerë njerëz, për t`u rritur imunitetin.

Niveli i lartë i antitrupave ose imuniteti i fortë, që del pas kësaj analize ndihmon sidomos ekipet mjekësore. Ata me imunitet më të fortë do dalin në vijën e parë, të tjerët do qëndrojnë të distancuar nga fronti i luftës.

Nëse këto teste bëhen shpejt, dhe në Shqipëri janë 6000 teste gati për t`u bërë, japin një pasqyrë të saktë se sa njerëz janë infektuar deri tani. Kështu zbulohet edhe se shkalla e vdekshmërisë në fakt është shumë më e ulët nga sa mendohet, pasi shumë njerëz e kanë kaluar pa simptoma.