Çfarë po ndodh/ Ushtria e NATO-s afrohet në kufirin rus

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg insistoi të hënën se një transferim masiv i trupave amerikane dhe aleate në Europën Lindore si pjesë e një stërvitjeje ushtarake nuk kishte për qëllim të acaronte Rusinë.

Rreth 37,000 ushtarë nga 18 vende do të marrin pjesë në manovrën e drejtuar nga SHBA, të quajtur “Defender Europe 2020”. Kjo është “vendosja më e madhe e trupave amerikane në Europë në më shumë se 25 vjet”, tha Stoltenberg për AFP.

Ushtrimi “tregon përkushtimin e fortë të SHBA-së ndaj NATO-s dhe lirisë dhe sigurisë së Europës”, shtoi ai. Stërvitja do të zhvillohet në maj dhe qershor, kryesisht në Gjermani, Poloni dhe Shtetet e Baltikut.

SHBA do të zhvendosë 20,000 ushtarë në Europë në muajt e ardhshëm.

“Mbrojtja e Europës nuk është e drejtuar kundër ndonjë vendi të veçantë”, tha Stoltenberg. “Ky ushtrim mbrojtës tregon aftësinë për të lëvizur me shpejtësi një forcë të madhe nga Shtetet e Bashkuara në Europë për të ndihmuar në mbrojtjen e aleatëve të tjerë të NATO-s, nëse është e nevojshme”, tha ai.

Stërvitja vjen mes dyshimeve në lidhje me faktin nëse SHBA, është ende e gatshme të mbrojë Europën. Pas inagurimit të tij, Presidenti amerikan Donald Trump fillimisht e përshkroi NATO-n si “të vjetruar”.

Por pasi Gjermania dhe anëtarët e tjerë europianë u zotuan për shpenzime më të larta të mbrojtjes, Trump riafirmoi angazhimin e tij për aleancën. Kuptimi i qëllimit të NATO-s mori një forcë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke nxitur frikën midis anëtarëve lindorë të NATO-s.

Aleanca që atëherë e ka forcuar ndjeshëm praninë e saj në Europën Lindore dhe ndërtoi aftësinë për një vendosje të shpejtë të trupave në rast konflikti. Stoltenberg nënvizoi se anëtarët e NATO-s, Lituania, Estonia dhe Letonia festuan 30 vjetorin e pavarësisë së tyre këtë vit, duke iu referuar ndarjes së tre shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik.

Pjesët e “Europës Mbrojtëse” do të mbaheshin në të tre vendet. “Rusia ka ç’do të drejtë të ndjehet e sigurt brenda kufijve të saj, por kështu bëjnë shtetet tona anëtare”, tha Stoltenberg.

Një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte asgjë për alarm në faktin se stërvitja po zhvillohej gjatë festimeve të 75 vjetorit në fitoren e Moskës së Rusisë ndaj Gjermanisë naziste në 9 maj.

“Stërvitja do të zhvillohet nga shkurti deri në qershor”, tha një zyrtar.

“Kjo është koha kur zhvillohen shumë stërvitje ushtarake çdo vit”. “Ne e njohim rolin kritik të luajtur nga Bashkimi Sovjetik në fitoren ndaj Gjermanisë naziste”.

Stoltenberg theksoi se SHBA-ja, kishte njoftuar Rusinë dhe anëtarët e tjerë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) për ushtrimin në përputhje me udhëzimet për çështje të tilla./shekulli