Çfarë shkruante Heroi Bahri Fazliu për Heroin Fadil Vata

Me rastin e 29 vjetorit të vdekjes së veprimtarit të çmuar të çështjes kombëtare shqiptare, Fadil Vatës, po botojmë një shkrim të dëshmorit të kombit, Heroit të Kosovës Bahri Fazliu kushtuar Heroit Fadil Vata.

KURRË I NËNSHTRUAR
(Në përkujtim të Fadil Vatës)

Për tokë, për gjuhë, për nder
ne kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet

Thonë s’u nënshtrua kurrë. Luftoi në çdo çast të jetës së tij. Thonë se e kanë parë duke luftuar edhe tani me shokët e tij, heronjtë. Thonë…

Po, dheu nuk i mban heronjtë, kur të gjallët nuk e mbajnë dheun. Luftojnë të vdekurit e pavdekshëm për t’i ngjallur të gjallët e vdekur. Është lufta më e madhe, më e shenjtë, më e çuditshme që ka parë bota.

S’iu nënshtrua burgut, s’iu nënshtrua sëmundjes, s’iu nënshtrua Serbisë.

Atë që vdes duke mos pranuar nënshtrimin, vdekja e bënë të pamposhtur.

Populli i robëruar duhet të vajtohet në rast se i mungojnë heronjtë e jo nëse për çdo ditë jep heronj. Madhështia e heronjve s’e lejon të nënshtrohet kurrë një popull.

Thonë vdiq me buzëqeshje në gojë. Po. Ai që ka besim në popullin e vet, s’mund të vdes ndryshe. Ai që tërë jetën jeton i pazgjidhshëm me popullin, e kupton se jeta e tij vazhdon me jetën e popullit. E një popull që rrit bij si Fadili, nuk vdes kurrë.

“Lufta jonë të mbështetet në forcat tona” – sfidon Fadili qenien tonë sot.

Është e tmerrshme për një popull kur flaka e qëndresës peshon mbi dëshmorët.

I vrari nga dora e gjatë gjakatare, sfidon fodullët e sotëm të rregulluar në pëllëmbët e xhelatëve.

Thonë…

Po, po Fadilin nuk po e mban varri. Nuk ka gjumë ai përderisa të mos zgjojë nga gjumi të gjallët. Fuqishëm jehon zëri i tij: zgjohuni, ju, o të pushtuar!
Gazeta “Çlirimi”, Prill 1996.

Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kombit Fadil Vata!