Vushtrria dhe banorët e saj nuk mund të përfaqësohen nga një kryetar llafazan, grindavec dhe i dështuar

Shkruan: Nezir Klinaku

Vushtrria dhe vushtrriasit nuk mund të përfaqësohen nga një kryetar, i cili nuk përfaqëson fytyrën e moralin e qytetarëve të Vushtrrisë……

Që Xhafer Tahiri ka dështuar në Vushtrri këtë tanimë e ka pranuar edhe grupi kuvendar i LDK-së. Është rast unik kur vetë grupi kuvendar, bën gallatë me dështimet e kryetarit të partisë së tij. Asnjë kryetar komune në historinë e Vushtrrisë nuk ka qenë kaq i paaftë, kaq dembel dhe kaq i dështuar. Premtoi se do t’i jepte zgjidhje problemit të ujit për 12 muaj, shkoi edhe më larg duke premtuar hapjen e puseve në ato fshatra ku nuk mund të shtrihet rrjeti i ujësjellësit. Por çfarë ka bërë?

Pas 17 muajve, furnizimi me ujë jo që nuk arriti në fshatrat e Vushtrrisë, por u keqësua edhe në vetë qytetin e Vushtrrisë. Për puse mos të flasim, përveçse e ka bërë “pus” qeverisjen lokale.

Për të qenë të sinqertë edhe e ka bërë një pus të madh në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh. Premtoi se vizioni i tij për Vushtrrinë është Partneriteti Publiko – Privat në menaxhim të mbeturinave, në mirëmbajtje dhe pastrim të qytetit. Por çfarë ka bërë?
E ka bërë një “lëmsh” aq të madh sa kush nuk mund t’i bie në fije, ngase në njërën anë deklaron se nuk ka marrëveshje me KRM “UNITETI” Sh.A. Mitrovicë, e në anën tjetër sfidon këtë kompani me disa marrëveshje tremujore.

Premtoi se gjatë këtij viti do të ndërtohet tregu, i cili do të jetë sikurse ai i Tiranës. Por çfarë ka bërë? Ende nuk e ka caktuar as lokacionin ku do të ndërtohej ai treg.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me KEDS-in dhe në muajin tetor të vitit 2018 do të fillonte largimi i kabllove dhe shtyllave elektrike nga sheshi.

Por çfarë ka bërë? Hiç fare!

Premtoi se gjatë këtij viti do të ndërtohet stacioni i autobusëve dhe do të themelohet kompania publike për menaxhimin e banesave kolektive. Por çfarë ka bërë? Hiç fare!

Dëshmitarë jeni ju vetë qytetarë të nderuar të Vushtrrisë, se nuk ka bërë asgjë, përveç mashtrimeve në rrjetin social Facebook, se shpenzimet javore të Zyrës së Kryetarit janë vetëm 13 €. Mjafton të shihni sheshin e qytetit të Vushtrrisë me ato pllaka të thyera për të cilat nuk kujtohet kush, për të kuptuar se çfarë i ka bërë ky kryetar qytetit, kudo gropa, kudo asfalt i shkatërruar. Në një kohë kur rrugët e qytetit kanë më shumë se kurrë nevojë për ndërhyrje, megjithatë, kryetari për këtë periudhë gjashtëmujore ia ka dalë të realizojë vetëm 24% të investimeve. Qeverisja e Xhafer Tahirit që nga fillimi është një qeverisje e dështuar, ndërkaq ne si “Lëvizje për Bashkim” në Kuvendin Komunal në vazhdimësi kemi kritikuar këtë model të qeverisjes. Kryetar, gjej zgjidhje ose lësho rrugë! Sot kur flasim për realizimin e buxhetit për periudhën gjashtëmujore janar-qershor të vitit 2019, mund të themi që ky realizim nuk është aspak i mirë, është i dështuar. Këtu shihet që nuk është duke shkuar mirë. Ne pas analizës që i kemi bërë realizimit të buxhetit për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2019, kemi parë që ky buxhet shpenzimet i ka bërë vetëm në luks. Më poshtë do të bëj një krahasim në mes realizimit të buxhetit për periudhën gjashtëmujore janar-qershor. Njëkohësisht, do të jap një pasqyrë në mes të shpenzimeve për periudhën janar-qershor 2017 dhe janar-qershor 2019.

Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit për periudhën janar-qershor 2017 kanë qenë 3441.60 €, kurse në qeverisjen e luksit të Tahirit në periudhën janar-qershor 2019 janë 5251.76 €, që i bie 1810.16 € më shumë se në qeverisjen e kaluar. Mëditjet e udhëtimit jashtë vendit për periudhën janar-qershor 2017 kanë qenë 3431.00 €, kurse në qeverisjen e Tahirit në periudhën janar-qershor 2019 janë 7560.40 €, ose 4129.40 € më shumë se në qeverisjen e kaluar.

Shpenzimet për telefoni mobile për periudhën janar-qershor 2017 kanë qenë 11798.00 €, kurse në qeverisjen e Tahirit, janar-qershor 2019 janë 13387.42 €, apo 1589.42 € më shumë se në qeverisjen e kaluar.

Shpenzimet postare për periudhën janar-qershor 2017 kanë qenë 626.60 €, kurse në qeverisjen e Tahirit, janar-qershor 2019 janë 18219.79 €, ose 17593.19 € më shumë se në qeverisjen e kaluar.

Mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve për periudhën janar-qershor 2017 kanë qenë 5422.18 €, kurse në qeverisjen e Tahirit në periudhën janar-qershor 2019 janë 13619.60 €, ose 8197.42 € më shumë se në qeverisjen e kaluar.

Për ta përmbledhur, TOTALI I SHPENZIMEVE OPERATIVE për periudhën janar-qershor 2019 është 1 134 079.60 €, ose 381 305.67 € më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2017, që ishte 752 773.93 €.

Ky është keqmenaxhimi i taksapaguesve të qytetarëve të nderuar dhe shumë të respektuar të Komunës së Vushtrrisë, nga qeverisja e dështuar e Tahirit me koalicionin e tij.

Kryetar, gjej zgjidhje ose lësho rrugë!

(Autori është anëtar i Kuvendit Komunal në Vushtrri nga Lëvizja për Bashkim)