Çka nënkupton termi gjenocid?

Shkruan: Izet Miftari (Historian)

Këtyre ditëve në Kosovë, ku më shumë e ku më pak, po diskutohet për gjenocidin serb të shkaktuar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998 – 1999! Sikur është duke u krijuar një farë dyshimi i panevojshëm se a kishte apo nuk kishte gjenocid!

Sipas Mikel Ndrecës, fjala “gjenocid”, rrjedh nga fjalët greke dhe latine, që do të thotë: gaeno (greqisht) – lindje, krijim dhe caedo (latinisht) – pres, godas; flijoj. Prandaj, gjenocid, në kuptimin e fjalës, definohet kështu: Shfarosje e plotë a e pjesshme e një popullsie ose e grupeve të veçanta kombëtare, racore, gjuhësore; Krim ndërkombëtar.
Duhet kuptuar se gjenocidi serb apo sllavo – ortodoks, duke përfshirë edhe grekët, ndaj shqiptarëve ka filluar me përmasa të hapura që në vitet 1877 – 78, kur u dëbuan qindra mijëra shqiptarë (muhaxhirë) nga sanxhaku i Nishit (Toplica) në brendësi të Vilajetit të Kosovës. Burimet e kohës na njoftojnë se shqiptarët përjetuan gjenocid apo përpjekje për ta shfarosur këtë popull. Në fund të fundit në këtë vend ka ndodhur gjenocidi (shfarosja) ndaj shqiptarëve në sanxhakun e Nishit, për arsye se sot më nuk ka më shqiptarë që jetojnë në këtë lokalitet.

Tragjedia edhe më e madhe, e thënë katërcipërisht gjenocid, ishin vitet 1912-13. Njoftimet më të besueshme se çka në të vërtet ndodhi me shqiptarët nga Aleatët Ballkanik (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia), na i sjell më së miri gazetari i kohës, Leo Freundlich. Shkrimet e tij në librin “Golgota Shqiptare”, janë të rënda dhe të tmerrshme për lexuesin, e mos të flasim për përjetuesin. Në një rast, ai shkruan se, shumë banorë të Lumës, përkatësisht gratë dhe fëmijët e këtij vendi, i kishin mbështjellë me kashtë dhe digjeshin të gjallë para syve të burrave dhe baballarëve të lidhur me zingjirë. Poeti i madh i letërsisë turke, hartuesi i himnit kombëtar të Turqisë moderne, bashkëkohës i ngjarjeve të viteve 1912 – 13, Mehmet Akifi (shqiptar nga Sushica e Pejës) shkroi një poemë, që ia kushtoi këtyre ngjarjeve. Në një strofë, ai shkruan:

“Kështu nga një llavë e vjelur e ferrit:
Llava përcëlluese i përfshiu të gjitha viset e vendit
Ai është zjarri që nuk la pa shkymë asnjë oxhak!
Ajo është stuhia që nuk la pa djegë e rrënuare asnjë konak”.

Pra, gjenocidi serb, nuk ka ndodh vetëm në vitet 1998- 1999. Ky gjenocid ishte i fundit i ndodhur deri më sot. Nëse nuk jemi të kujdesshëm , nuk bëhemi bashkë kur është në pyetja kauza dhe interesi kombëtar, mund të ndodhë edhe në të ardhmen. Dua të besoj se, gjenocidi i viteve 1998 – 1999 është i fundit.

Prandaj, çka duhej të ndodhte më shumë me shqiptarët e Kosovës, për t’u klasifikuar si gjenocid ndaj tyre?! Vetëm gjatë viteve 1989 – 1999, shqiptarët e Kosovës, nga regjimi fashist serb i Millosheviqit, përjetuan: Helmim, burgosje, largim nga vendet e punës, mbyllje të shkollave shqipe, detyrim për të migruar jashtë Kosovës, torturim nëpër burgje, dënime me burg për motive politike, vrasje të fëmijëve, të moshuarve, të femrave, duke përfshirë edhe dhunimin e një pjese të tyre, të plagosur, deportim masiv apo zhvendosje me forcë e shqiptarëve të Kosovës për në Shqipëri e Maqedoni Veriore (rreth 1 milion u depërtuan) , 186 masakra, djegieje të kufomave, të zhdukurit gjatë luftës, djegieje të shtëpive dhe e pasurive të luajtshme – toka e djegur, rrezikim i atyre që mbeten në Kosovës me vdekje urie, detyrim i një pjese të madhe të shqiptarëve që mbeten brenda në Kosovë që të strehohen nëpër male etj etj. Pra, gjenocidi nuk ka “brinjë”! Këto që i kanë përjetuar shqiptarët, dhe që janë të ditura botërisht, nuk mund të përcaktohen me ndonjë term tjetër, veçse gjenocid.

Sa për dijeninë e lexueseve, edhe hebrenjtë kanë përjetuar këto gjëra gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), prandaj edhe është artikuluar me termin gjenocidi ndaj hebrenjve.