Çfarë tha Burim Ramadani për intervistimin nga Specialja?

Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani e ka përfunduar intervistimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka bërë të ditur kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e këtij institucioni, Ganimete Musliu. Ramadani po raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së ku ndër të tjera ka folur edhe për ftesën nga Specialja.

Raportimi i kryeinspektorit të AKI-së po zhvillohet pa praninë e mediave.

“Do të ishte e paarsyeshme që të kalojë raportimi i zotëri Ramadanit pa u ndalur te kjo pikë dhe pa u informuar rreth kësaj pike por krejt çka mundem me nda me ju si media dhe me opinionin e gjerë mund të them që zotëri Ramadani i është përgjigjur ligjërisht dhe institucionalisht një institucioni tjetër siç është Gjykata Speciale dhe e ka përfunduar procesin intervistues ose i është përgjigjur pozitivisht ftesës në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Musliu.

Musliu nuk ka dhënë detaje rreth raportimit të Ramadanit për punën e AKI-së apo paraqitjen e tij në Hagë ndërkohë që ka theksuar se ajo vazhdon të vlerësojë të gabuar veprimin e AKI-së për publikimin e ftesës nga Specialja.

“Përgjigjet e tjera duhet t’i jap zotëri Ramadani dhe AKI, unë personalisht, tash jo si kryetare e komisionit po flas si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës e kam parë të gabuar publikimin e ftesës nga AKI për çka kam reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale por pyetje të tjera sa i përket intervistimit, ftesës, publikimit të ftesës besoj që duhet t’i drejtoni në institucionin përkatës që në këtë rast është AKI”, ka thënë ajo.

Në muajin maj, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Inspektori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Burim Ramadani është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit.